Jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë stripi jo rrallë konsiderohet si një zhanër që i takon së kaluarës. Ka pak lexues, por “The Last Free Dog” është në taborin e atyre që besojnë dhe e dëshmojnë të kundërtën. Ecën kundër trendëve, e kërkon, e gjen lexuesin dhe atë me një temë aktuale në Kosovë: qentë endacakë. Zanafilla e këtij romani grafik është te rastësia, hartografja nga Kalifornia, Sarah Bergquist-Kosumi, do të vinte në Kosovë të njoftohej me të afërmit e burrit të saj, ku në peizazhin me mbeturina gjithandej do të gjëllinte ideja për rrëfimin me deltarin ilir, Lyrin, e nëpërmjet historisë së tij do të përthekonte problematikën e qenve endacakë dhe të ambientit. Për ilustrime do të gjente një mjeshtër si Shpend Kada, libri u botua në anglisht dhe pjesa tjetër është histori.
Të enjten Sarah Bergquist-Kosumi është rikthyer në Kosovë, bashkë me Shpend Kadën ku kanë përuruar “The Last Free Dog” në librarinë “Dukagjini” në një takim gati joformal, ku kanë shpalosur rrëfimin prapa romanit grafik, por jo vetëm. Është kumtuar se janë bërë disa hapa për ta përkthyer edhe në shqip, përderisa në horizont është ideja për veprën e radhës. Personazhe: arinjtë.
Sarah Bergquist-Kosumi, e cila ka përfunduar studimet bazike për gjeografi humane në Kaliforni, librin e parë debutues “The Last Free Dog” e nisi si një kundër-reagim për çështje ambientalizmi, që i përgjigjet gjendjes momentale në Kosovë.
“Mendoj që do ta presin shumë mirë këtë libër, sepse shfaq një realitet të cilin njerëzit këtu e jetojnë, dhe besoj që do të pritet mirë, sidomos nga të vegjlit, dhe shpresoj që do të nxisë mendime te njerëzit, që të ndihmojnë me situatën e qenve të pastrehë”.
“The Last Dog...” frymon shumëngjyrshëm në Kosovë duke prekur peizazhe identifikuese të vendit si Prishtina, Peja e Prizreni, ndërkaq për lexuesin e huaj është edhe një lloj guide që i njofton ata dhe me kulturën kosovare. Bashkëpunimi me Shpend Kadën kishte nisur rastësisht nga kontakti në rrjetet sociale, nga të cilat edhe kishin nisur bisedimet e para.
Përmes një korrespodence të gjatë nëpërmjet internetit ata kishin bashkëpunuar në realizimin e karaktereve të librit, për të vazhduar pastaj edhe me takime. Detajet nga procesi i punës së librit u shpalosën edhe në promovim, ku dyshja ndan me të pranishmit disa nga draft-skicat e para, si pasqyrë e procesit të gjatë të punës.
Përmes këtij romani të veçantë, autorja synon që lexuesit kosovarë dhe ata ndërkombëtarë të nxiten në përfshirje më të madhe në çështjet kolektive me karakter mjedisor, si zgjidhje për probleme që ndikojnë te të gjithë.
Ajo ka bërë të ditur se botimi në shqip është rrugës drejt konkretizimit, krahas planeve për ta promovuar edhe ndërkombëtarisht, nëpër festivale dhe panaire tek sa synon që ky libër të futet edhe në shkollat e Kosovës.
Por autorja nuk planifikon të ndalet me kaq. Në Kosovë synon të rikthehet edhe me librin e saj të dytë.
“Shpresoj që ky libër do të ndikojë në një ndryshim, do të mundohem ta promovoj shumë atë. Nipit tim i ka pëlqyer shumë libri për qenin, por më tha se: ‘a mund të bësh diçka për arinjtë’? Dhe menjëherë mendova rreth pyllit të arinjve këtu në Prishtinë dhe kështu imagjinata ime u ndez”.
Shpend Kada, njëri prej pionierëve të stripit në Kosovë, e ka vlerësuar iniciativën e Bergquist-Kosumit teksa u shpreh se me librin e saj mbase do të nisë një trend i ri i realizimit të romaneve grafike në Kosovë. Viteve të fundit festivali i romanit grafik “Gran FEST”, themeluar prej artistit Gani Jakupi, ka sjellë emra të njohur e ka botuar disa romane grafike, kryesisht përkthime, pos atyre të vetë Jakupit.
“Te ne pothuajse nuk ekziston fare romani grafik apo stripi, dikur ka pasur, por kanë qenë vetëm në gjuhën serbo-kroate, por në shqip jo. Andaj një rikthim është i vështirë pasi që duhet të etablohet nga fillimi. Tash nuk po shoh interes as te fëmijët, ata janë më të fokusuar nga animacioni sesa stripi, por jemi nja dy-tre veta që jemi entuziastë dhe nëse mund të ndikojmë te gjeneratat e reja, sepse jam i bindur që ka talente dhe të interesuar, e ndonjë ditë mbase mund të krijohet ndonjë revistë e stripit te ne”.
Dyshja e “The Last Free Dog” beson në fuqinë e romanit grafik. Dëshmi janë vepra tashmë e botuar dhe ideja për romanin e radhës.