EXPRESS

Restauruesja e mbi 900 librave e dorëshkrimeve

Të dhënat e librave që vendos t’i restaurojë i regjistron në fletore.

Restauruesja e librave, Blerta Slishani- Krasniqi, ka 17 vjet që e bën këtë punë.

I vendos dorëzat dhe maskën dhe fillon pastrimin e librave që shpesh mund të jenë të baltosur apo të dëmtuar nga insektet, raporton KOHA.

Për të kaluar në duart e saj një material duhet të jetë i botuar vetëm para vitit 1945.

Procedurat për restaurimin e librit zgjasin gati një muaj. Para se të fillojë restaurimin, Blerta i fotografon librat për të dëshmuar gjendjen e tyre para dhe pas procesit restaurues.

Blerta Slishani- Krasniqi tregon disa nga fazat e tjera pas inventarizimit të librit.

Nëpër duart e biologes kosovare kanë kaluar 966 libra, harta e dorëshkrime.

Slishani-Krasniqi thotë se punën e saj e bën me shumë pasion pasi që librat i konsideron si pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Puna e saj thotë se është e ngjashme me atë të “kirurgut”.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës së shpejti do të sjellë një ekspozitë me librat para dhe pas restaurimit.