Sa herë që duhej inskenuar temat tabu, apo ato që kërkonin më shumë guxim për tu trajtuar, adresa ishte Teatri i Gjakovës. Aty publiku me të qeshura ose me lot i qëndronte përballë një trupe profesioniste që po luftonte me mentalitetin e kohës.
“Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore njerëzit e kanë dashur artin, fillimisht kanë startuar me shtëpi private. Janë shënimet e sakta që në shtëpinë e familjes Baraku, një shtëpi e vjetër me çardak qysh kanë qenë më parë, aty kanë filluar filizat e parë të teatrit, në mungesë të femrave kanë luajtur meshkujt rolet e tyre. Ajo punë ka vazhduar në çardak, e kanë bërë skenën dhe publikun”, ka thënë aktorja Elida Shasivari.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAktorja Muradije Muriqi kujton ngjitjen për herë të parë në skenë.
“Kur kam dal para publikut jam stepur, më kapi njëfarë emocioni i brendshëm që s’di as me përshkru edhe thash me bë me ndodh të gaboj ‘çka bëj’, se ishte kontakti i pare me publikun. E di që më ka shkuar një pike loti edhe më erdhi njëfarë force edhe me atë lot diqysh fillova”, tha ajo.
Viti 1977 ishte vit revolucionar për dashamirët e artit skenik. Atëherë dyert e Teatrit u hapën për të parën herë, e që e kthyen atë në një institucion rezistence.
“Ne kemi përjetuar gjëra që s’ka përjetuar asnjë teatër tjetër në Kosovë, kur vritnin, mbytnin e sakatonin njerëz, ne vinim në Teatër, rrinim brenda. Për asnjë moment nuk kemi shkuar nëpër shtëpia, jemi bërë bashkë grup në një dhomë të vogël, kemi ndenjur me njëri-tjetrin dhe s’jemi larguar nga Teatri asnjëherë”, tha Muriqi.
Me 680 ulëse në sallë, Teatri i Gjakovës përbën një ndër institucionet me kushtet më të mira në nivel vendi. Ky teatër është shembull i mirëmbajtjes së zhveshtoreve, pjesës së rrobaqepësisë, ndërsa fundusi i rrobave të tubuara përmbi 40 vjet është i sistemuar si më së miri.
Teatri nxori emra të mëdhenj artistësh, e ndër ata që shquhen e që u bënë idhull për gjeneratat e reja ishte Hadi Shehu, emrin e të cilin e mban Teatri sot.
“Gjithmonë kam ëndërruar të jem afër Hadi Shehut, nuk e di pse qysh në fëmijëri, shumë e vogël kur kam qenë kur e shihja në skena, filma thosha gjithmonë ‘me pasë fat vetëm t’iu afrohem’, e lëre më ta ëndërroja të jem bashkëpunëtore, kolege me të”, ka shtuar Muriqi.
Drejtori i Teatrit të Gjakovës, Edi Kastrati, ka vlerësuar lart punë e Shehut.
“Puna dhe angazhimi shumë i madh i të ndjerit Hadi Shehu ka bërë që ky Teatër të ketë këtë nam shumë të madh. Ideja ka qenë që të jetë emërtimi në emrin e tij sa ka qenë gjallë, mirëpo fatkeqësisht në momentet e fundit na ka lanë, ka vdekur dhe e kemi bë pas vdekjes”, ka thënë Kastrati, që është në mandatin e tij të dytë. “Teatri nuk ka pasur status, buxhet, xhirollogari, aktorë, asgjë nuk ka pasur. E ka pasur vetëm një organikë të cilat janë bartë, sepse me delegim të kompetencave nga Qeveria te Komuna, mirëmbajtjen e Teatrit e ka pasur obligim Komuna, të cilën nuk e ka bërë asnjëherë. Mirëpo, edhe Ministria e Kulturës ka gabuar jashtëzakonisht shumë sepse nuk e ka mbikëqyr punën e komunave dhe ka mbetur të gjitha teatrot tepër keq”.
Gushti i vitit 2020 e bëri teatrin “Hadi Shehu” me trupë rezidente në përbërje: Elida Shasivari, Myrvete Kurtishi, Muradije Muriqi, Vlera Pylla, Yllka Lota, Ylber Mehmeti, Edi Gjakova, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Altina Kusari dhe Besfort Berberi.
Lidhja emocionale e këtyre aktorëve me dërrasat e Teatrit është e veçantë.
“E kam ndjerë edhe kur s’kam qenë e punësuar, edhe kur kam luajtur si amatore si fëmijë kur e kam luajtur Pipin, Kësulkuqen e krejt këto, unë kam fjetur në skenë. Edhe kur e kam pasur nderin të luaj me Sylejman Lokaj, e kemi bërë shfaqjen për fëmijë “Hajde”, kam mësuar nga të gjithë. Unë jam rritur në duart e secilit prej tyre. Ka qenë një rritje e paharrueshme për mua”, ka thënë aktorja Yllka Lota.
“Këtë vit kemi punuar dy shfaqje ‘Farsë’ me regji të Butrint Pashës dhe ‘+18’ me regji të Qëndrim Rijanit, shfaqje që na kanë prezantuar shumë mire si Gjakovë. Tash i kemi tri projekte të tjera”, ka shtuar aktori Besfort Berberi
Që nga viti i themelimit e deri më sot, perdja e këtij teatri ka rënë për 120 premiera.