Aty ku më parë kanë dominuar sonatat dhe teknikat e interpretimit pianistik, këtë herë ishte një zë që këndonte për fëmijërinë, për nënat, për dashurinë dhe për bilbilin që “nxjerr tinguj në gjuhën e trashëguar”. Me një qetësi të madhe mes skenës dhe audiencës së “Chopin Piano Festit”, dyshja Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq solli disa prej këngëve më të rralla të komunitetit arbënesh të Zarës, shumicën prej të cilave Bushiq i kishte dëgjuar prej gjyshes së vet.
Në mbrëmjen e pestë të edicionit të 15-të të festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”, skena e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare mori një trajtë tjetër. Ajo u zhvesh nga formaliteti klasik i netëve të mëhershme dhe u mbështoll me thjeshtësinë e zërit dhe tingullit të kitarës. Aty ku më parë kanë dominuar sonatat dhe teknikat e interpretimit pianistik, këtë herë ishte një zë që këndonte për fëmijërinë, për nënat, për dashurinë dhe për bilbilin që “nxjerr tinguj në gjuhën e trashëguar”.
Programi i mbrëmjes është titulluar “Bërbili. Këngë të harruara të arbëneshëve të Zarës” dhe ka sjellë një përzgjedhje këngësh tradicionale të komunitetit arbënesh që prej shekujsh jeton në qytetin bregdetar të Zarës në Kroaci. Të gjitha pjesët, të kënduara nga Dina Bushiq dhe të aranzhuara e të interpretuara në kitarë nga Melita Ivkoviq, janë mbështetur në melodi dhe tekste të trashëguara, që në këtë formë skenike marrin frymë të re. Në mesin e tyre u përfshinë këngë si “Jam Arbënesh”, “Ni merje kam Vana”, “So e dua nanen”, “Bërbili” e “Moj e bukura More”.
Pas përfundimit të koncertit, Dina Bushiq theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë muzikore arbëneshe në Kosovë, si një lidhje e gjallë që prej tre shekujsh.
“Është shumë e rëndësishme për ne që ta promovojmë muzikën dhe kulturën arbëneshe në Kosovë. Kemi lidhje të arta që po na bashkojnë për 300 vjet histori. Arbëneshët kanë ardhur para 300 vjetësh në Zarë dhe çfarë na ka mbetur prej tyre nuk është shumë, por kemi mbledhur gjithçka dhe kemi krijuar një projekt të tërë të ri nga ajo që ka mbetur dhe shpresojmë që gjeneratat e reja do t’i dëgjojnë këto këngë dhe t’i këndojnë ato në të ardhmen”, tha Bushiq.
Për Bushiqin, kjo ishte hera e parë në “Chopin Piano Fest”, por jo takimi i parë me Prishtinën.
“Është hera e parë që marrim pjesë në ‘Chopin Piano Fest’ dhe hera e tretë në Prishtinë. Më pëlqen Prishtina shumë, ushqimi juaj dhe mentaliteti i njerëzve: shumë mendjehapur, mikpritës dhe ka shumë të rinj”, tha ajo.
Për kitaristen Melita Ivkoviqin, mbrëmja solli një emocion të veçantë, jo vetëm për shkak të interpretimit të projektit përpara një audience që e kupton thellë rrënjën e këngëve të interpretuara, por edhe për shkak të një kapitulli të ri artistik në karrierën e saj.
“Ishte një natë e veçantë dhe gjithashtu ndjenjë e veçantë të performojmë këtë projekt arbënesh para njerëzve që në fakt e kuptojnë. Për mua, projekti ‘Bërbili’ që e kam bërë me Dinën zë një vend të veçantë në zemër dhe në karrierën time, sepse duke qenë kitariste klasike, kjo qe hera e parë që e prezantoj veten edhe si aranzhuese dhe kompozitore, kështu që kam dhënë më të mirën prej vetes për këtë projekt”, tha Ivkoviq.
E drejtoresha ekzekutive e Festivalit, Besa Luzha, e ka vlerësuar mbrëmjen e pestë si një kthesë të veçantë, pas katër netëve të para të dedikuara recitaleve klasike me standarde të larta.
“Kishte një ngjyrim pak më ndryshe pas katër mbrëmjeve të para me programe e recitale me kërkesa të nivelit jashtëzakonisht të lartë artistik, tamam recitale klasike. Ambasadorja ka propozuar prej vitit të kaluar që Dina dhe Mel, do të ishte mirë të performojnë në koncert, ishte shumë bukur sepse këto këngë ndoshta i kemi dëgjuar në ndonjë version qoftë popullor ose ndonjë version tjetër, por këto i kanë sjellë me një ngjyrim klasik, të përpunuara për kitarë dhe ishte një mbrëmje me të vërtetë shumë e bukur. Një himn për këngën shqipe, e cila ndër shekuj po mbijeton”, deklaroi Luzha.
Ky recital i veçantë nuk ka kërkuar aftësi teknike të një mbrëmjeje tipike pianistike – ai ka kërkuar të mbahen veshët të hapur dhe zemrat të ndjeshme. Ishte një natë kur muzika nuk vjen nga partiturat, por nga shpirti, dhe ku çdo fjalë e kënduar, përtej bukurisë së saj gjuhësore, sjell me vete historinë e një komuniteti që ende flet shqip – ndonëse në një formë që pak veta sot e njohin.