Artistë, kuratorë, përfaqësues institucionalë e të tjerë kanë marrë pjesë në ceremoninë ku është shpalosur Koncepti Koncepti themelues i muzeut të artit bashkëkohor të Kosovës. Dokumenti përcakton hapat e ardhshëm për themelimin dhe funksionimin e institucionit, që shteti tash e 16 vjet është në tentativë për ta bërë, përderisa si ide numëron 23 vjet.
Pos lokacionit, ish-“Rilindjes”, Këshilli Iniciues ka punuar edhe në statut e organogram. Dokumenti i prezantuar sjell në detaje institucionin e synuar.
Ministria e Kulturës tash posedon veç dokumentin udhërrëfyes.
Yll Rugova në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Iniciues të emëruar më 6 qershor 2022 ka treguar për punën e Këshillit. Ata kanë mbajtur takime nga katër herë në muaj, kanë pasur vizita studimore, punëtori e po ashtu është punuar edhe në nëngrupe. Ka elaboruar se pos lokacionit – një ndër më ikonikët në Prishtinë – ata kanë punuar edhe në organogram, statut e deri te koncepti për koleksionin. Qëllimi është që muzeu të posedojë një koleksion të ri veprash që datojnë nga viti 1990 e më pas.
Veprat e viteve paraprake do t’i ngelin Galerisë Kombëtare të Arteve. Sipas Konceptit, në qershor a korrik të vitit 2024 do të hapet konkursi ndërkombëtar për arkitekturën e muzeut, në shkurt 2025, thirrja për adaptim a ndërtim, e në gusht të atij viti të nisin punimet. Kurse në janar të vitit 2028 institucioni të jetë me koleksion, këshill dhe drejtor.
Por synimi i Këshillit Iniciues dhe i MKRS-së është goxha ambicioz. Ish-“Rilindja” – që është monument – është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vendosja e muzeut aty tash është veç synim.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se kjo kornizë orientuese, siç është koncepti, tashmë lehtëson punën për pjesën që vjen pas.
MKRS-ja ka 16 vjet që projekton buxhet për muzeun e artit bashkëkohor.
Ndër vite janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar muzeun e artit bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro.