EXPRESS

“Kujtimet e së nesërmes” në përplasje kohësh për ngjyrat e së ardhmes

Tranzicioni prej luftës në Kosovë drejt një shoqërie të qëndrueshme, optimiste dhe të sigurt, është koncepti për “Kujtimet e së nesërmes”. Ekspozita vjetore e pesta me radhë e Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës sivjet ka qenë e veçantë pasi është angazhuar kurator për ekspozitën. Britaniku James Walmsley e ka ndërlidhur të tashmen në botë me të kaluarën e vendit.

Në ceremoninë e hapjes të premten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Walmsley ka thënë se është tejet pozitive të shihen këto nisma të reja në skenën artistike.

“Është kënaqësi të shohim standardin dhe kualitetin e artit në Kosovë, që njihet dhe respektohet në botë. Do të doja të falënderoja të gjithë artistët për pjesëmarrje, për besimin dhe bashkëpunimin”.

Veprat në përgjithësi janë moderne e abstrakte dhe të mediumeve të ndryshme. Pikturë, fotografi, skulpturë e instalacion janë format e artit pamor të prezantuara në ekspozitën vjetore të AAVK-së. Aty janë bukuria e natyrës e ndikimi i teknologjisë në shoqëri.

Dy skulptura të artistit Ismet Jonuzi flasin për dallimin e një lloj ndarjeje shoqërore a politike. Veprat në kornizë qelqi duken simbole të sakrificës për të ruajtur identitetin.

Artisti e profesori universitar, Ismet Jonuzi, ka thënë se veprat e tij kanë të bëjnë me të kaluarën e të ardhmen.

“Në këtë ekspozitë jam prezantuar me dy cikle. Njërin që e kam titulluar ‘Kopshti im i pasluftës’. Në këtë punim shihen gjurmët e luftës, por edhe një flutur që simbolizon një lloj optimizmi për të ardhmen. Kjo që ka ndodhur i takon veç së kaluarës, por që kanë mbetur gjurmët e luftës ku mund të vëreni armët, plumbat, dheu në një formë luan rol. Nga dheu kemi lindur dhe në dhe do të kthehemi, kjo është krejt filozofia e këtij punimi”.

Faton Mazreku e paraqet rininë e vendit në veprat e tij.

Tri veprat e Zake Prelvukajt janë poetike e me shumë ngjarje përbrenda. Trajtojnë ndikimin e teknologjisë në jetën e njeriut.

“Këto shigjeta, këta njerëz, janë njerëz që nuk kanë gjini dhe që prodhohen e ndoshta nesër shiten në treg. Kështu i parashoh unë, kjo është teoria ime për t’u lidhur me konceptin se a do të jetë edhe kjo e ardhme e kaluar. Vitet shkojnë dhe nuk mund të kthehesh në ato vite, përpos nëpërmjet artit. Ne përmes artit i rikthejmë konceptet, i puqim dhe i prezantojmë këtu”.

Tejet estetike duken veprat e artistit Kamuran Goranci. Me përplot ngjyra japin efekte të peizazhit të natyrës e detektimit teknologjik, megjithëse janë abstrakte.

Goranci, që është edhe kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka thënë se në përgjithësi shprehja artistike është moderne.

“Këto janë forma krejt abstrakte, ka aty-këtu disa mediume më ndryshe, sidomos te skulptorët. Shprehja e artit është krejt moderne, abstrakte, të cilat ngërthejnë në vete shprehjen e secilit artist për të ardhmen tonë në përgjithësi”.

Fotografia si medium në ekspozitën “Kujtimet e së nesërmes” është prezantuar me shkrepjen e fotografit Burim Myftiu.

“Është një fotografi bardhezi, monokromatike, minimaliste. Është vajza ime në atë fotografi, sepse ajo çdo ditë priste kur do të kthehemi nga puna unë dhe shoqja ime. Në momentin kur ajo priste, hapte roletën dhe shikonte a është parkuar makina. Për atë arsye një ditë u afrova dhe fotografova pamjen e saj. Është një prej fotografive që kuratorit i pëlqeu dhe e mori për ekspozitë”.

Projeksionet e skulptorit Adem Rusinovci me material druri janë si simbolikë e ringjalljes pas shkatërrimit. Në detaje duket se e cenojnë qëndrueshmërinë e objekteve dhe sfondin e shkatërrimeve të mëparshme. Veprat e Eshref Qahilit përfshijnë peizazhe natyre ndërsa ato të Arton Behramit e sjellin një “version” të ri të njeriut.

Pikturat e Agim Salihut kanë qenë kryesisht me hijezime, ku errësira e drita takohen dhe paraqitet dominimi i tyre te tjetra. Mehmet Behluli e krijon komoditetin brenda dhomës me pikturat abstrakte dekorative dhe botës së gjallë.

Në hapjen e ekspozitës “Kujtimet e së nesërmes” e pranishme ka qenë edhe deputetja Saranda Bogujevci. Në ceremoninë e hapjes ajo ka thënë se nëpërmjet punës së artistëve vendorë është arritur të tregohet një pjesë e historisë dhe se ata janë frymëzim për gjeneratat e reja të artistëve.

“Ka qenë një rrugëtim për të menduar dhe për të parë një kontribut që secili prej jush keni dhënë jo vetëm në artin dhe kulturën e vendit, por përtej. Keni filluar veprimtarinë tuaj në kohët më të vështira të historisë së vonshme të vendit tonë. Përmes punës që e keni bërë keni arritur të tregoni një pjesë të historisë. E vazhdoni edhe sot. Ne që kemi qenë gjenerata më e re, por edhe ato tash, kemi mësuar dhe kemi për të mësuar shumë prej juve”.

Me veprat e prezantuara të premten tërhiqet një lloj paraleleje ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes duke prezantuar humbjen, rrënimin dhe rilindjen.