Katër gra që në jetën e tyre e kanë pasqyruar rolin e heroinave, ndajnë një fat të përbashkët. Fatet e tyre janë ekranizuar përmes dokumentarit “Hope” të regjisores Vjosa Abazi.
Historitë e jetës së tyre marrin kahe tjetër kur goditen nga fatkeqësia. Me përditshmërinë e tyre, gratë kosovare përpiqen të triumfojnë mbi këtë realitet.
Vjosa Abazi i ka bashkuar këto histori që forcën e gruas kosovare ta dërgojë edhe jashtë Kosovës. E pas premierës virtuale në “DokuFest”, ai veç ka marrë këtë konfirmim me shpërblimin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Amsterdam dhe së fundmi me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Tagore në Indi.
“Dokumentari “Hope” ka filluar në minutat e fundit të vitit 2016 dhe duke e pritur vitin 2017 në kalanë e Prizrenit në temperatura shumë të ftohta. Ka vazhduar rrugëtimin nëpër stinë dhe vite të ndryshme dhe ka përfunduar në vitin 2020. Dokumentari flet për katër gra që vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës. Historitë e tyre nuk ngjasojnë me njëra-tjetrën por kanë një gjë të përbashkët që është shpresa”, shprehet Abazi.
Dokumentari “Hope” ngulmon në shpresën për gratë që jetojnë në qytete të ndryshme të Kosovës. Rrëfimet e tyre në vetën e parë e bëjnë shikuesin të lëvizë nëpër realitete të ndryshme, por që zbërthehen me bukurinë reale të tregimit.
“E bukura e këtij dokumentarit është sepse na tregon se sa e fuqishme është gruaja shqiptare, sa karaktere të forta kemi e që janë shtylla e familjes. Në momentin që e shikon dokumentarin të dobëson emocionalisht dhe të bën të ecësh tutje në synimet tua. Një gjë tjetër e bukur është edhe dialekti. Të huajt nuk mund ta vërejnë këtë dialekt por ne shqiptarët po”, ka thënë tutje Abazi.
Abazi ka thënë se megjithëse kanë kaluar gati pesë vjet që nga xhirimet, jeta e grave vazhdon të jetë e vështirë. Regjisorja ka thënë se janë duke pritur edhe konfirmime të tjera nga festivalet ku kanë aplikuar. “Hope” nuk do të ndalet deri sa të arrijë që historitë e grave shqiptare t’i bëjë sa më të njohura edhe për publikun e huaj.