EXPRESS

“Goca e Kaçanikut” ngjall dashurinë për atdhe dhe artin e operës

Një premierë si ajo e “Gocës së Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të ishte krejt e zakonshme në një tjetër kontekst. Por nuk është e tillë. Është historike për disa arsye: Është e para operë e Kosovës, inskenimi i saj i parë në vendin e origjinës. Midis fakteve si këto, është edhe një tjetër realitet: Prejse u shkrua, iu desh më shumë se një gjysmë shekulli që të inskenohet dhe ai në shtëpi të huaj, ose nga një institucion pa shtëpi. Erdhi 45 vjet pas inskenimit të parë, atij të 1979-s në Tiranë.

Por mbi të gjitha, “Goca e Kaçanikut” në gjashtëmbëdhjetëvjetorin e Kosovës shtet, hap një kapitull të ri në historinë e artit. Dhe këtë ia doli ta bëjë magjishëm. Në skenën ku improvizimet dalin sheshazi, shkëlqimi artistik në skenë është kontrasti i prapaskenave.

Aty përplasen trimëria e dashuria për vendin në njërën anë, tradhtia në tjetrën. Triumfojnë dy të parat. Në kontekstin deri te realizimi i këtij produksioni triumfojnë dashuria e vullneti për të sjellë operë, tok me guximin me gjithë sfidat e artistëve. Anët pozitive e negative nga rrëfimi në shfaqje vijnë edhe si reflektim për institucionin e Operës së Kosovës, themeluar në verën e vitit 2021.

Krejt trupa e institucionit, përfshirë solistët, Korin dhe Orkestrën e udhëhequr nga maestro Edon Ramadani, si dhe një pjesë e asaj të Baletit Kombëtar të Kosovës akomodohen në skenën 12 metra të gjerë, të një salle private në periferi të kryeqytetit.

Krejt në fillim shfaqet portreti i heroit Idriz Seferi. Kjo është shenja e parë që e kthen kohën mbi një shekull prapa, te viti 1908, kur heroi u priu kryengritjeve të shqiptarëve kundër osmanëve.

“Goca e Kaçanikut” bazuar në novelën e Milto Sotir Gurrës është simbiozë e luftës për liri. Ngjarja zhvillohet në Grykën e Kaçanikut dhe peizazhet dallohen qartë në ekranet që janë rekuizitë e skenografisë.

Kostumet janë realizuar mjeshtërisht nga Vesa Kraja, ndërsa skenografia nga Mentor Berisha. Koreografia nga Sead Vuniqi sjell brenda rrëfimit operistik një copëz të trashëgimisë së valles shqipe.

Ishin vitet 1971-1972 kur kompozitori i parë dhe i vetëm në vend i veprave operistike, Rauf Dhomi do ta kompozonte “Gocën e Kaçanikut”. Jo pak i emocionuar ka qenë ai të premten, në premierën e operës së tij. Ka theksuar edhe mungesën e institucionit të operës pa teatër.

“Kjo premierë për mua është më e ngrohtë, më për zemër. I shoh të gjithë të gëzuar. Është temë për këtë vend. Është një sugjerim për Qeverinë që në këtë sallë nuk është premiera kompakte. Si të martohet nusja në shtëpi të huaj. Kjo është shtëpi e huaj, nuk është teatër. Besoj se pas kësaj premiere do ta kemi së shpejti edhe shtëpinë, teatrin e operës”.

Regjia e operës në Kosovë i është besuar mjeshtrit Nikolin Gurakuqi. Premiera e “Gocës së Kaçanikut” për të ka qenë spektakël.

“Sa kisha mbaruar shkollën. Isha stazhier në Opera. Më thanë nëse dua të marr pjesë në këtë operë dhe u thashë se dua. Jam njohur me këtë operë që atë vit. Kështu të gjithën e kam pasur në vesh. Tani që e rimora për ta vënë në skenë në pozicionin e regjisorit, kur e mora për ta studiuar partiturën, menjëherë e kisha në vesh muzikën”.

Rolin kryesor në operë e ka luajtur sopranoja Adelina Paloja, e cila ka portretizuar gruan shqiptare heroinë në fushëbetejë e në familje.

“E bekuar me pritjen që më është bërë nga publiku dhe këtë rol ua dedikoj të gjithë grave shqiptare, atyre që historikisht kanë qenë vetëflijuese, kanë qenë aty kur është dashur të kenë pushkën në dorë, aty ku i ka kërkuar familja. Kanë qenë çdoherë aty, duke mos e pasur veten në radhë të parë dhe duke rrezikuar në këtë rast sikur ishte roli i Pafikës”.

Me libret të Ajmone Dhomit e të Jusuf Buxhovit, “Goca e Kaçanikut” do të dërgonte në Tiranë një fragment historie jo veç të muzikës nga Kosova.

Libretistja Ajmone Dhomi ka thënë se premiera e operës të premten e ka kthyer në momentet kur po shkruante vargjet për këtë formë të artit.

“Për kushtet që kemi, ka qenë mrekullia vetë. Kemi një rini të shumtë dhe të mirë. Ka qenë mbrëmje e mrekullueshme. Tërë kohën më ka lënë mbresa, dhe me çka jam emocionuar, se kush e ka menduar se para 45 vjetëve kjo operë është shfaqur në Tiranë. Kush e kishte menduar se do të përsëritej historia me atë që na ndodhi në vitet ’90. Thua se e kemi menduar atëherë, dhe ndodhi”.

Ritmet e këngës e muzikës kanë qenë shpesh të veshura me elemente të folklorit. Krejt në fund, në shenjë triumfi, i këndojnë lirisë e besnikërisë dhe dashurisë e përkushtimit ndaj atdheut.

Me premierën në Prishtinë të “Gocës së Ka֛çanikut”, prapa në kohë është kthyer tenori Hektor Leka, kur e kishte ndjekur premierën në Tiranë.

“Ky produksion ishte shumë i veçantë për një seri arsyesh. Sepse në premierën e 1979-s, nëna ime ishte mjeshtre e Korit në Teatrin e Operës. Kam qenë i vogël kur kam parë shfaqjen e parë. Nuk mund ta imagjinoja kurrë që do të vija në Prishtinë të bëhesha protagonist. Ishte eksperiencë shumë e bukur”.

Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se edhe kësaj here ia kanë dalë të improvizojnë e ta adaptojnë një tjetër skenë si teatër opere.

“Prapë na gjen pa shtëpi të operës dhe baletit, por që me këtë sallë arritëm të improvizojmë dhe ta adaptojmë që të duket si teatër me gjithë skenën, regjinë, rolet e publikun e mrekullueshëm për të cilin nuk patëm vend për të gjithë”.

Shpesh dashuria në operë është frazë që i kushtohet një njeriu e atdheut.

Shkrimtari Ag Apolloni ka vlerësuar se do të duhej të bëheshin disa intervenime në kompozicion e në vargje.

“Ishte interesant edhe si libret i shkruar dhe i frymëzuar bukur prej novelës. Gjithsesi disa intervenime ndoshta do të duhej të bëheshin, sidomos në kompozicion e në vargje. Por përgjithësisht mendoj se komunikoi mirë me publikun”.

Më 21 korrik të vitit 1979, opera “Goca e Kaçanikut” do të jepej premierë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Një vit më parë, më 1978 do të jepej në version koncertal në Prizren e Prishtinë nën drejtimin e Mark Kaçinarit.

Dashuria për atdheun jehon edhe kur merr fund opera. “Goca e Kaçanikut” është duartrokitur gjatë. Edhe për faktin që shënon një kapitull historie me peshë të shumëfishtë. Atmosferë premiere është parë edhe në reprizën e së dielës mbrëma. Planet janë që kjo shfaqje operistike në vjeshtë të kthehet në kryeqytet pas Shkupit dhe Tiranës.