EXPRESS

Engjëlli i Dodonës

Nëpërmjet këngës e manifestonte gëzimin e brendshëm. Adriana nuk e donte vetminë, andaj përherë ndodhej atje ku ishin njerëzit e saj më të afërm. Edhe vdekja e gjeti pranë tyre. Aktorja Adriana Abdullahu u vra më 22 mars të vitit 1999 nga forcat serbe.

E lindur më 12 shtator të vitit 1976 në Shkup, fëmijërinë e saj e kaloi në qytetin e Ferzajt, aty ku përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm.

Në vitin 1994 ajo regjistrohet ne klasën e Faruk Begollit, në degën e aktrimit, në Fakultetin e Arteve, ku u diplomua në vitin 1988 me shfaqjen “Mbreti Ibish”.

Dëshira për të imituar të tjerët bëri që talenti i saj të shpërfaqej qysh në moshën 6-vjeçare, por vetëm kontakti me skenën ia ngjalli dashurinë e madhe për aktrimin. Vizitat e herëpashershme jashtë Kosovës e bënë që të absorbonte kultura të huaja.

Artistja nga Ferizaj vlerësohet si aktore që me lojën e saj e sundonte skenën. Sipas regjisorit Fadil Hysaj, energjia dhe potenciali i saj nuk janë përsëritur tek asnjë tjetër.

“Ne e kemi quajtur engjëlli i “Dodonës” Adriana Abdullahun. Aq ka qenë e talentuar sa jemi mahnit me çdo dalje të saj në skenë. Prej kur ekziston teatri shqiptar, nuk besoj që ka pasur ndonjë brez me aq shumë talent shpërthyer në çdo sekond të saj në skenë”, ka thënë Hysaj.

Aftësitë interpretuese te Adriana Abdullahut veçoheshin për spontanitetin dhe transformimin në skenë duke iu dorëzuar momentit.

Disa nga shfaqjet kryesore ku ka luajtur Adriana janë: “Martesa”, “Shtatë ngjyra lumturie”, “Marurantët”, “Mbreti Ibish” dhe “Stjuardesat”. Ajo ka luajtur edhe në projekte televizive “Elefantët uturojnë në Hoolivud”, “Shihemi në gjyq, bac” dhe “Darka e dreqit”.

Sipas bashkëpunëtorëve të saj, Adriana vinte gjithnjë me një frymë të re në skenë dhe me energjinë e saj e sfidonte edhe realitetin në të cilin ndodhej.

“Me energjinë e saj, ajo i rezistonte edhe asaj periudhë të vështirë saqë ne aktorët kur dilnim në mbrëmje në qytet sado që ishte rrezik, faktikisht ka qenë një simbol që më e mbajt frymën gjallë të rinisë në qytet që jeta vazhdon në çfarëdo rrethana”, ka thënë aktori Armond Morina.

Adriana jetonte me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë. Para se të largohej me familjen për në Maqedoni, Adriana kishte këmbëngulur që të vinte edhe një herë në Prishtinë. Pasi kishte parë shfaqjen e kolegëve të saj, u bën bashkë në kafenenë “Magic”. Të shtënat drejt kësaj kafeneje në mbrëmjen e 22 marsit ia morën jetën Adrianës në moshën 23-vjeçare.

Lajmi u përhap me shpejtësi të madhe. Kolegët e saj u mobilizuan që të mbanin një mbledhje komomorative në teatrin ku ajo luante, por që u gjenden përballë dyerve të mbyllura nga sistemi serb, i cili nuk lejoi mbajtjen e kësaj ceremonie. Megjithatë, Adriana u nderua jashtë teatrit “Dodona”.

“Menjëherë të nesërmen kemi ardhur në ‘Dodonë’ ku kemi mbajtur një mbledhje komorative për të, na u ka mbyllë dera nga drejtoria e dhunshme e regjimit serb dhe e kemi bërë ceremoninë në hyrje të “Dodonës”. Meli Qena ka sjell lule për ta stolis atë oborr, ku ajo ka shkelur çdo ditë. Jemi pikëlluar të gjithë shumë”, thotë mes emocionesh regjisori Fadil Hysaj.

Përherë e pakënaqur me veten në skenë, ajo kërkonte vazhdimisht sfida të reja. E ashpër me vetveten, te të tjerët reflektonte të kundërtën. Në kujtimet e shoqërisë është i gdhendur akoma portreti i një vajze që reflektonte veç hare.

“Unë kam bindjen shumë të plotë dhe është gjynah që i mungon kinematografisë ajo vajzë sepse jam i bindur se sikur të ishte gjallë do t’i arrinte majat në kinematografinë e filmave hollivudian. Ka qenë shumë e zonja dhe e ka dashur jetën”, shprehet shoku i klasës së saj Bekim Çerkini.

Emri i saj është përjetësuar në teatrin e qytetit të saj të lindjes në Ferizaj. Në skenën e leximit, në teatrin “Adriana Abdullahu” ruhen disa nga gjërat e saj personale.

“Pavarësisht traditës që ka ky objekt në kuptimin e zhvillimit teatror dhe zhvillimit të teatrit në përgjithësi në nivel kombëtar. Prej kohës kur mbanë emrin “Adriana”, ky teatër ka krijuar një identitet të ri, duke iu referuar emrit të një aktoreje e cila ka humbur jetën në vitin 1999”, ka thënë Besim Ugzmajli, drejtor artistik i teatrit “Adriana”.

Mbi dërrasat e Teatrit popullor të Prishtinës luajti për herën e fundit më 18 mars të vitit 1999.

Për kolegët e saj Adriana mbeti një kujtim i përhershëm se skena duhet të mbetet vend i manifestimit të lirisë.

Adriana Abdullahu u varros më 24 mars të vitit 1999 në Ferizaj. Derisa të afërmit po i jepnin lamtumirën e fundit, qyteti ishte zhytur në zhurmën e sirenave që alarmonin për sulmet e NATO-s mbi caqet serbe. Liria po trokiste.