EXPRESS

“Armiku” i luftës edhe në Kosovë, vjen në kërkim të paqes

“Enemy” ka në thelb nocionin e paqes në raport me konfliktet aktuale dhe ato të kaluara. Publiku me përjetimet e tilla e gjen lehtë veten aty, njashtu edhe në Prishtinë. Por vetë e kaluara e vendit është njëra shtyllë prej ku është ndërtuar rrëfimi i performancës. “Armiku”, me “Një konferencë paqeje” që vjen si nëntitull, pyet pikërisht për paqen. Një rrugë paradoksale ku përballja me traumat e luftës, në vend të fjalëve, bëhet nëpërmjet klithmave e frymëmarrjes. Ajo e lë publikun ta perceptojë vetë shfaqjen derisa trazohen kujtimet e përjetimet e së kaluarës.

Një projekt hulumtues i francezëve Mélodie Lasselin dhe Simon Capelle në krejt vendet e Evropës prej vitit 2019 deri më 2022 i ka paraprirë performancës. Mozaiku i historive, rrëfimeve, të së kaluarës dhe të së tashmes është shkrirë në art skenik. Qëllimi: krijimi i një vepre për paqe dhe për ta lëkundur imazhin e figurës së armikut.

Interpretueset Mélodie Lasselin dhe Léa Pérat dalin në skenë të veshura me uniforma lufte. Të heshtura qëndrojnë gjatë para publikut, më pas nisin të veprojnë. Veshin dorezat, nxjerrin qeramikat e thyera nga xhepat, të cilat i rendisin në dy vija paralele.

Ngjan në një rrugë që krijohet me shumë mundime që atyre u shkakton lodhje dhe rëndim të gjendjes shëndetësore. Kur ato të dyja ndajnë rrugët sikur zhvillojnë luftë brenda tyre.

“Kemi punuar bazuar në historitë që Simon i ka mbledhur në Ballkan, në Francë dhe në Itali gjithashtu. Kemi filluar me shumë material dhe më pas jemi munduar t’i vendosim ato për të ngritur zërat tanë pa folur”, ka deklaruar Pérat.

Mélodie Lasselin, që bashkë me të kanë zbërthyer historitë nëpërmjet lëvizjeve të trupit, ka thënë se performanca e lë publikun ta perceptojë lirshëm rrëfimin në të.

“Mund të jetë e lehtë të mos flasësh në fakt, sepse është interpretimi yt, i audiencës në përgjithësi për atë që ne sjellim me trupat tanë. Historia e secilit e bën kuptimplotë atë. Është më i hapur për të projektuar historinë, përjetimet. Donim që njerëzit ta ndienin dhe të jenë të lirë ta kuptojnë dhe përjetojnë nga perspektiva e tyre”.

Simon Capelle, i cili e ka bërë koreografinë dhe konceptin bashkë me Lasselin, ka thënë se Prishtina ka qenë pikënisja e krejt procesit për performancën. Sipas tij, kuptimi i performancës ka të bëjë më shumë me mënyrën sesi publiku e interpreton atë.

“Është vallëzim, nuk ka tekst. Ka të bëjë me armikun. Janë dy figura që nganjëherë përballen mes vete, nganjëherë janë në paqe. Në secilin vend që shkojmë, njerëzit lidhen me historitë e tyre. Në Armeni, njerëzit lidhen me situatën në Azerbajxhan, në Qipro njerëzit lidhen me qytetin e ndarë të Nikozisë, në Ballkan është për shembull raporti mes Kosovës dhe Serbisë. Është bërë për të qenë një diskutim historik ndërmjet njerëzve”.

Me “Enemy” nis dialogu ndërmjet komuniteteve nëpërmjet kërcimit. Ofrohet një narrativë e paqëndrueshme që përzien traditën me fatin e saj në të ardhmen, trashëgiminë me imagjinatën.

Historia në “Enemy” do të eksplorohet edhe një herë në Kosovë më 24 nëntor në Mitrovicë.