EXPRESS

“Ajo që ia thotë këngës...” nëpërmjet tepsisë që sfidon kohën

Koncepti i ekspozitës ndërkombëtare e fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili”, ka frymëzim tepsinë si praktikë muzikore tradicionale. Me të e thellon publikun në historitë e paraardhësve, por rrëfen edhe përpjekjet e pandalshme të grave për të gjetur forma për të shoqëruar këndimin e tyre. Janë veprat e njëzetetre artistëve që bashkohen në zbërthimin e këtij koncepti në ekspozitën “Ajo që ia thotë këngës…”. Sivjet çmimi “Gjon Mili” i është ndarë veprës “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita”.

Me ekspozitën “Ajo që ia thotë këngës…” tradicionalja lundron në art. Bëhet një me bashkëkohoren duke zbërthyer narrativa botërore, por që kthehen në traditën ballkanike muzikore. Veprat e njëzetetre artistëve në Galerinë Kombëtare të Kosovës lehtësisht komunikojnë me gjuhë artistike në ekspozitën ndërkombëtare “Gjon Mili” që sivjet vjen e riformatuar – pos si ngjarje që i dedikohet fotografisë – edhe imazhit lëvizës.

Veprat janë të pafundme në krejt hapësirat e objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Me to vjen rrëfimi i artistëve në ngjarjen me të cilën institucioni e hap programin për këtë vit.

Koncepti i ekspozitës së kuruar nga Valentine Umansky nga “Tate Modern” e Londrës – në bashkëpunim me kuratoren e GKK-së, Hana Halilaj – ka frymëzim tepsinë si praktikë muzikore tradicionale. Me të e thellon publikun në historitë e paraardhësve, por rrëfen edhe përpjekjet e pandalshme të grave për të gjetur forma për të shoqëruar këndimin e tyre me instrumentet në të cilat qasje dikur kishin vetëm burrat.

Ajo çfarë e ilustron më së miri frymëzimin e ekspozitës, është vepra e artistes boshnjake Lala Rashçiq e punuar nga bakri, druri dhe materiali elektronik që mundëson rrotullimin e saj. Tingulli i këtij rrotullimi të tepsisë është edhe “kolona zanore” e ekspozitës.

Vepra “Letrat” e artistes uzbeke Saodat Ismailova të punuara në periudhën kohore prej vitit 2014 deri më 2019 shfaq portretet familjare me dorëshkrimet e tyre mbi fotografi. Aty janë shënimet e stërgjyshërve të artistes me alfabet arab dhe gjuhë të ndryshme.

“Kjo ekspozitë eksploron pasionin e kujtimeve. Është koncentrim i bukur në instrumentin tradicional të tepsisë në këtë regjion, praktikë me të cilin lidhet gruaja. Gjithashtu është një lidhje e bukur dhe kuratoret kanë ndarë një tekst të Trinh T. Minh-ha që është kuratore dhe artiste. Është një tekst që ka të bëjë me historinë gojore dhe sesi është një tekst që transmetohet nga një gjyshe”, tha Ismailova.

Arti i Astrit Ismailit vjen nëpërmjet videos. Vepra “Flutura” e porositur nga Galeria Kombëtare e Kosovës ka anën artistike vizuale dhe në audio. Kënga me të njëjtin titull si vepra vjen si shoqërim i lojës së tij të pandalshme me tepsi. Ajo është e përzier me ritme e vargje tradicionale dhe bashkëkohore.

Autori i veprës, Astrit Ismaili ka bërë të ditur se prej vitit 2016 e praktikon lojën e tepsisë. Ka thënë se tingulli i saj është në shumë prej performancave të tij.

“Kur e kam parë për herë të parë jam fascinuar me mënyrën se si kur këndon me tepsi, zëri procesohet. Tepsia është një lloj procesori i zërit dhe më është dukur shumë interesante, kësisoj e kam integruar nëpër performancat e mia, edhe në të fundit – ‘Lynx’ që ka qenë pjesë e ‘Manifestës’. Kur më ka kontaktuar kuratorja për të qenë pjesë e ekspozitës dhe ma ka treguar temën, më është dukur mundësi shumë e mirë që më në fund të bëjë një video për të arkivuar mënyrën se si lidhem me lojën e tepsisë dhe të sjellë diçka në këtë ekspozitë të mrekullueshme”, tha Ismaili.

Pos Ismailit, artistë të tjerë shqiptarë që kanë marrë pjesë janë edhe Majlinda Hoxha, Simon Shiroka, Klodiana Millona e Endi Tupja. Vepra e këtyre të fundit, “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita”, që himnizon traditën shqiptare ka fituar çmimin e edicionit të 17-të të ekspozitës ndërkombëtare të fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili”. Ajo ndërthur këndimin polifonik me rrëfime personale në veprën e përbashkët të artistëve. Juria vlerësuese e përbërë nga filozofja e artistja sllovene, Marina Grzhiniq, historiani i artit e kuratori grek, Stamatis Schizakis, dhe profesori i historisë së artit dhe i pikturës, Zef Paci, nga Shqipëria, e ka ndarë Çmimin për veprën e cila konsiderohet se mishëron tensionet midis gjuhës dhe etnicitetit, dhe jo vetëm. 

“Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së ekspozitës, duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mospërkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme. Duke kombinuar elemente dokumentare me performancën evokuese të subjekteve të saj, vepra tejkalon kufijtë tradicionalë, duke ofruar një narrativë të fuqishme të qëndresës dhe identitetit”, shkruhet në komunikatën e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Vepra e punuar në vitin 2023 konsiderohet me perspektivë të fuqishme feministe.

“Kërkimi i kujdesshëm dhe ekzekutimi kreativ i punës theksojnë një perspektivë të fuqishme feministe, duke ndërthurur historitë personale krahas një komentimi më të gjerë socio-politik”, shkruhet në komunikatë.

Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se ngjarja sivjet vjen si përfshirje e fotografisë dhe e imazhit lëvizës.

“Vjen këtë herë në Galeri me një qasje ndryshe, të re sa i përket strukturës dhe rolit e rëndësisë që Bienalja ka pasur ndër vite pas një pauze të shkurtër me rastin e pandemisë. Pas rikthimit e kemi menduar rëndësinë e zgjerimit dhe të përfshirjes të idesë dhe konceptit të fotografisë, pasi që edhe vetë Gjon Mili në veprat e tij ka punuar dhe ka qenë i interesuar në imazhin lëvizës, ani pse ka punuar me fotografi në mënyrën tradicionale”, tha Halilaj. 

Ndryshim tjetër sivjet ka qenë edhe ndërkombëtarizimi i ngjarjes.

“Gjithë këto ndryshime, duke përfshirë edhe atë se sivjet thirrja e hapur nuk ka qenë vetëm për artistë lokalë, por për gjithë rajonin, kemi pasur një numër të madh aplikimesh dhe kemi përzgjedhur 19 artistë nga thirrja e hapur ndërsa pesë kanë qenë të ftuar nga kuratorja. Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të naviguar me kujdes gjithë këto ndryshime që kemi bërë në këtë moment”, tha Halilaj.

Vjet në kuadër të programit të Galerisë është rikthyer ekspozita tradicionale e fotografisë “Gjon Mili”, e cila prezanton artistë ndërkombëtarë e vendorë që nga viti 2002. E kuruar nga italiani Leonardo Bigazzi, ekspozita shfaqte punën shumëvjeçare të artistit dhe arkitektit Agush Beqiri që është edhe arkitekt i objektit aktual të Galerisë Kombëtare të Kosovës.