Kur në program bëjnë pjesë disa prej atyre që konsiderohen si perlat e muzikës shqipe, dihet se publiku nuk do të mungojë. Atmosfera festive ndihet ende pa nisur koncerti. Karriget e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë janë të pakta përballë entuziazmit të madh për ta ndjekur programin. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës bashkë me ansamblin “New Born” dhe Oktetin Vokal të angazhuar nga Opera e Kosovës janë bërë bashkë për të shënuar manifestimin qendror të Ditës së Flamurit, njëherësh përvjetorin e 111-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mbrëmja e së martës e titulluar “Koncert me klasikët shqiptarë” ka nisur me veprën e Rauf Dhomit, “Të falemi o dhe” që vjen si festë, por njëkohësisht edhe një lloj homazhi për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e pavarësinë e shqiptarëve. Me flamurin gjigant në prapavijë skena merr tjetër dimension. E ngjyrat muzikore bashkë me tonet patriotike kanë bërë që publiku, përtej rrugëtimit muzikor nëpërmjet notave, të prekë edhe historinë.
Nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani, kur në skenë ka dalë sopranoja Zana Abazi-Ramadani, është hapur një tjetër etapë e koncertit. Kënga tradicionale “Asaman” qe veç një intro e saj për publikun bashkë me atë “O moj bukuroshe”. Më pas ka qenë radha e “Dashnor t’u bana” me kompozim të Shime Deshpalit. Loja vokale e Abazi-Ramadanit e përcjellë nga Orkestra Harkore ka sjellë tjetër frymë në sallën e vobektë.
Më pas sopranoja ka kaluar te tonet më patriotike që gërmojnë nëpër historinë e shqiptarëve. “Mallëngjimi” me kompozim të Rashid Krasniqit ka bërë që publiku të futet në botën e atyre që vuajnë për atdheun dhe këtë e shprehin nëpërmjet muzikës. Për të “thyer” pak këtë rrugëtim muzikor, “E kujtoj atë takim” e kompozuar nga Pranvera Badivuku ka sjellë të tjera emocione. E interpretuar dikur nga këngëtarja ikonë Nexhmije Pagarusha, kjo vepër ka ngjallur ovacione. Kësaj i ka kontribuar edhe interpretimi i hollë i Zana Abazi-Ramadanit.
“Lamtumirë” me Avni Krasniqin në trumbetë dhe Betim Krasniqin në trombon kanë kthyer kompozimin e pavdekshëm të Muharrem Qenës. E kënga labe “Janinës ç’i panë sytë” interpretuar nga Okteti ka hapur kapitullin e muzikës së jugut të Shqipërisë në sallë. Veprat si “Hej ju male” e Çesk Zadesë interpretuar vetëm si kompozim i Çesk Zadesë në trumbetë me Avni Krasniqin e “Baresha” e Rexho Mulliqit me Kaltrina Krasniqin në flaut, Shkumbin Bajraktarin në klarinetë e Gëzim Latifin në violinë, kanë bërë që të mos lihen anash as kompozimet më të njohura të këtyre anëve.
Abazi-Ramadani me “Valsin e lumturisë” të Avni Mulës dhe “Agim shqiptare” të po këtij kompozitori, ka mbyllur koncertin. Me veprat e kompozitorit shqiptar me prejardhje nga Gjakova i ka vënë pikën koncertit që ishte festë më vete.
Dirigjenti Edon Ramadani, i cili bashkë me Valton Beqirin kanë orkestruar veprat e interpretuara, ka thënë se për ta si artistë është e rëndësishme se si është reagimi i publikut.
Zana Abazi-Ramadani ia ka dalë që të mbërthejë të pranishmit në kujtesën e tyre. Bash sikurse e ka përmendur pas koncertit, ka sjellë natyrshëm magjinë e muzikës që shtynë të pranishmit të kujtojnë kohë të vështira. Por njëkohësisht edhe të festojnë për ditë më të mira.