EXPRESS

Pianoja rrëfen nëpërmjet duarve të Maria Lettbergut

Loja e Maria Lettbergut s’mund të përkufizohet thjesht si interpretim. Është më shumë sesa kaq. Ajo rrëfen nëpërmjet pianos. Nata e gjashtë e “Chopin Fest” i ka takuar asaj. Veprat e Brahmsit e Scriabinit janë tejet sfiduese, por jo edhe për këtë muzikante suedeze. E ka dëshmuar se jo rastësisht ka qenë e nominuar për çmimin “Grammy” më 2018. Recitali i saj të hënën ka veshur Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me ngjyrat e opusit të kompozitorëve të mëdhenj me veprat që veçse i ka memorizuar krejtësisht.

Pa asnjë fjalë, Lettberg ka nisur me Sonatën e Johannes Brahms, e interpretuar në pesë kohët e saj. Teknika e Lettberg-ut është shkollë më vete, por ajo ka stil në interpretim, veçmas kur përfundon pjesët. Loja e pianistes suedeze ka qenë mahnitëse dhe ka kulmuar në pjesën e fundit të koncertit me veprat e kompozitorit rus Alexander Scriabin, me të cilat ka gërshetuar gëzim e dëshpërim në të njëjtën kohë. Këto vepra i ka vlerësuar sfiduese, por edhe të dashura për shkak të emocioneve që bart interpretimi i tyre.

“Pasi performoj shumë veprat e Alexander Scriabin, nevojitet kjo qasje emocionale. Kjo është mënyra se si e ndiej muzikën, është emocionale, por është edhe muzikë intelektuale në të njëjtën kohë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me emocione, por edhe me ndjenjën e thellë në përgjithësi. Për shembull, edhe Brahmsi ka shumë pjesë emocionale”.

Lettberg ka lidhje të kahershme me pianon. Në moshën nëntëvjeçare ajo pati paraqitjen e saj të parë publike duke luajtur Koncertin e dytë për piano të Beethovenit.

Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, e ka vlerësuar mjeshtëror koncertin recital të Lettbergut.

“Është një mjeshtre e pianos, laureate që ka marrë çmime të shumta, mirëpo është edhe mysafire në skenat më prestigjioze në botë. Është interesante se ajo e ka incizuar komplet opusin e kompozitorit të famshëm Alexander Scriabin, i cili e ka një opus shumë të madh dhe është mbresëlënëse për një opus kaq të vështirë, së pari për t’u memorizuar”.

Drejtoresha organizative, Besa Luzha, ka thënë se koncerti ka qenë dëshmi se këtë vit Festivali është fokusuar më shumë në repertor e në ngjyra interpretimi sesa në personalitete, virtuozitet e tematikë.

“E kemi edhe Scriabinin që është një kompozitor shumë i vështirë për t’u luajtur në piano, pasi ka shumë kolorit, ka pasur një lloj gjuhe shumë moderne me shumë akorde, me shumë vështirësi teknike. Studentët shumë rrallë e zgjedhin për shkak të këtyre vështirëve. Të kesh një mbrëmje të tillë të Brahmsit, një sonatë të madhe me pesë kohë, mandej edhe dy sonata të Scriabinit dhe disa pjesë të tjera, ishte shumë frymëzuese edhe për ne organizatorët”.

Pos koncertit të së hënës, pianistja Maria Lettberg ka mbajtur edhe një masterklasë paraditen e së martës me studentët e Fakultetit të Arteve.