EXPRESS

Petrit Çeku i jashtëzakonshëm ngjall Bachun në Kosovë

Pëlqeje KTV Video për të parë video të përzgjedhura nga KOHA
 

“Gjashtë suitat për violonçel” të Johann Sebastian Bach, të transkriptuara për kitarë nga violonçelisti Valter Deshpali, janë ngjallur mjeshtërisht nga Petrit Çeku. Në Muzeun e Mitrovicës ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm, ashtu siç e kishte paralajmëruar vetë Çeku koncertin.

Është jo fort e zakontë edhe për skenat më të mëdha botërore të tingëllojnë “Gjashtë suitat për violonçel” nga Johann Sebastian Bach. Edhe më, të luhen në kitarë. E jashtë krejt kufijve të së zakonshmes ishte nata e së enjtes në sallën e Muzeut të Mitrovicës, dhe ajo e së shtunës në katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren kur në skenë u ngjit kitaristi shqiptar i njohur botërisht, Petrit Çeku.

Suitat e Bachut janë të njohura për kompleksitetin e tyre teknik dhe për thellësinë emocionale. Shfaqin kuptimin e tij të thellë të formave muzikore dhe aftësinë për të ngjallur një larmi emocionesh. Interpretimi i tyre në kitarë nga Petrit Çeku e çoi publikun në një udhëtim që nis me momente të gjalla dhe plot hare e deri tek pasazhet introspektive dhe melankolike, duke kapur thelbin e emocionit dhe përvojës njerëzore. Në njëfarë forme, koncerti ka qenë edhe homazh për maestron Valter Deshpali, që ka i ka transkriptuar për kitarë suitat e Bachut.