EXPRESS

“Rezidenca 17”, hapësira që bashkon aktivistë e artistë

Gjithçka është restauruar, përpos disa tavolinave e ulëseve që i janë shtuar ambientit të ngrohtë e të lezetshëm të shtëpisë. Dollapët, raftet e mobiliet e tjera nëpër dhoma janë restauruar pa humbur formën e mëparshme. Muret, dyshemeja e shkallët janë ngjyrosur, por baza ka mbetur po e njëjta. Tepihët me motive tradicionale janë pastruar për t’u vendosur pikërisht aty ku kanë qëndruar.

Karriget e kolltukët kanë zënë vend anash dhomave ditore, raftet e librave po ashtu. Në fakt ato e karakterizojnë dhe mbizotërojnë në të gjitha dhomat. Përcjellin edhe sot dashurinë e Hivzi Sulejmanit për librin. Shumë nga to ishin gjetur nga studentët që kishin zhvendosur inventarin për ta restauruar. Disa nga dokumentet e gjetura, si ato të rrjedhës së punës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, janë vendosur në kornizat në mur.

Në dhomën e ndarë në dy pjesë, që kishte shërbyer për qëndrim ditor shfaqen edhe pamjet në mur të punës së 20 studentëve gjatë kampit për restaurim të mobilieve për dhjetë ditë. Është projektim i transformimit të tyre, si një “para-pas”.

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” vitin e kaluar kishte nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Prishtinës për ta marrë në shfrytëzim për pesë vjet një pjesë të shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sulejmani. Shtatëmbëdhjetë si organizatë aty do ta implementojë programin e rezidencave. Kati i parë do të jetë dhoma e bashkëpunimit, në përdhes studiot e punës, ndërsa në katin e dytë janë dhomat për fjetje. Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatqiu, është shprehur se nëse shkrimtari Hivzi Sulejmani do të ishte gjallë për të parë se si po shfrytëzohet shtëpia e tij, do të ishte ndier jashtëzakonisht krenar.

Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” tashmë përpos “Project Space 17” dhe “Galeria 17” i është shtuar edhe “Rezidenca 17”. Drejtoresha e Fondacionit, Nita Zeqiri, është shprehur se janë inspiruar nga gjërat e vjetra që kanë parë të cilat janë frymëzuar për t’i rikthyer në përdorim.

Punëtoria për restaurim ishte zbatuar nga fondacioni “CHwB Kosova” në kuadër të programit “Heritage Lab”. Nol Binakaj nga ky fondacion e ka vlerësuar procesin e punës si më unikun me të cilin janë marrë deri më tash, pasi për herë të parë kanë restauruar mobilie.

Në maj të këtij viti kishte filluar kampi për restaurim dhe ripërdorim të mobilieve të vjetra. Kampi i quajtur “Restore & Reuse old furniture” në shtëpinë e shkrimtarit Hivzi Sulejmani, në lagjen “Taslixhe” në Prishtinë, kishte zgjatur nga 10 deri më 19 maj të këtij viti.