EXPRESS

Vesa Berisha fiton çmimin “Pianisti i ri 2022”

Një ndër këngët më të famshme të rok-grupit “Metalica”- “Nothing else matters” ishte veç njëra nga këngët që i dhanë jetë. Pas saj pasoi “Valsi i lumturisë”, të cilën anëtarët e korit të fëmijëve “Okarina” e interpretuan me shumë energji.

Por kjo nuk ishte pjesa kryesore e koncertit. Sinonimi i natës finale të edicionit të 15-të të garës “Pianisti i Ri” ishte potenciali i talenteve të reja. 10 pianistë interpretuan vepra të kompozitorëve të ndryshëm në koncertin e më të mirëve.

Veçantia e këtij festivali qëndron pikërisht te fakti i hapësirës që u jep e shtigjet të cilat e hapën në rrugëtimin pianistik të instrumentistëve të vegjël. Dëshmi për këtë ishte çmimi kryesor i festivalit “Pianisti i Ri 2022”.

Mundësinë e koncertimit me Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës për vitin e ardhshëm e fitoi Vesa Berisha.

“Është një ëndërr që është bërë realitet me luajt me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, jo veç e imja po e çdo pianisti këtu. Gjithashtu është një rezultat i një pune që po vlerësohet, jo veç e imja po edhe e profesoreshës Pranvera Hoxha”, tha Berisha.

Dardan Selimaj nga Filharmonia e Kosovës tha se shumë pianistë ende s’e kanë pasur këtë mundësi, teksa shumë gjenerata edhe e ëndërrojnë atë.

““25 vjet përpara, gjenerata jem - pianistët e vegjël në atë kohë, koncertet mbaheshin në Shoqatën e Kompozitorëve, në shtëpi shkolla, në banesat e arsimtarëve tonë. Ndjehem shumë mirë kur pianistët e kësaj gjenerate performojnë në rrethana tjera”, u shpreh ai me nostalgji.

Çmimin “DAM Festival” me mundësi të recitalit në këtë festival prestigjioz e fitoi Era Kume. Ndërkaq çmimin “Fahri Beqiri” këtë vit e mori Hillari Parangoni.

“Kur vjen në skenën e ‘Pianistit të Ri’ në çdo konkurs që kam mbajtur kam pasur stres, por këtu meqë kam marrë pjesë para 7 vjetëve ikin emocionet në skenë”, tha ajo

Çmimi special “Okarina”,i cili u dha për herë të parë, e morën pianistet Kejdi Pepaj dhe Riola Susuri.

Rrugëtimi treditor i përzgjedhjes së pianistëve më të mirë nga 150 konkurrentë në kategori të ndryshme ka qenë përgjegjësi për jurinë, në përbërje nga Lule Elezi, Nadjezha Porodini Jole nga Shqipëria dhe Danica Stojanova nga Maqedonia.

“Për ne jurinë s’ka qenë fare e lehtë të vlerësosh talent midis talentëve, por besoj që e patë edhe nga duartrokitjet e publikut që edhe ata mbeten të kënaqur”, tha Lule Elezi. “Organizatorët - me përkushtim dhe durim kanë bërë që ky festival të arrij në nivelet më të larta artistike, ta ketë profilin e vet”.