Të mërkurën komuniteti i muzikës dhe jo vetëm ai u shokuan nga lajmi për vdekjen e Erin Godancit. Dy nga personat e afërt me të kanë shpalosur sa anën profesionale po ashtu edhe atë shoqërore në raport me të.
Jeta e natës kishte energji tjetër kurdo që Erin Godanci, i njohur edhe me nofkën Erin GoDance, ishte pjesë e saj me setet e tij të mrekullueshme. Ai bënte që turma të mos ndalej asnjëherë së vallëzuari.
Djalë Prishtine, i rritur në lagjen “Dardania”, ditën ishte një programer ndër më të zotët në fushën e mbrojtjes nga sulmet kibernetike, derisa mbrëmjeve me muzikën e tij i argëtonte të rinjtë nëpër lokalet e Prishtinës.
“Erini është njëri prej njerëzve më pozitivë të cilin e kam njohur në jetën time. I kam pasur mundësinë dhe nderin që ta kaloja një pjesë shumë të gjatë të jetës me të, si shokë të fëmijërisë. Si artistë në bend kemi bërë muzikë bashkë dhe së fundi kemi ndarë çdo ditë së bashku, çdo ditë të punës ku kemi punuar, për ta bërë botën një vend më të sigurt dhe më të mirë. Erini me mirësinë dhe me afërsinë e tij me njerëz të të gjitha shtresave, me njerëz të të gjitha pjesëve të shoqërisë, qoftë prej të parëve të vendit deri te ne qytetarët e rëndomtë, ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka thënë Robert Shala, shok i fëmijërisë.
“Erini për mua ka qenë njëri prej djemve më të mirë dhe më pozitivë që e kam pasur rastin ta njihja. Mua personalisht më ka rënë të punoja më së shumti në aspektin e muzikës, sepse, siç e dimë, përveç punës si programer Erini ka bërë edhe muzikë. Ka qenë një djalë i jashtëzakonshëm. Kushdo që e ka takuar nuk ka mundur ta shihte nervoz, gjithmonë ka qenë duke buzëqeshur. Në bazë të energjisë së tij, kur e ke takuar Erinin, menjëherë ke filluar të qeshësh”, ka thënë DJ Adrian Berisha.
Erin Godanci ka luajtur në instrumente të ndryshme muzikore duke filluar si kitarist e duke vazhduar si baterist bashkë me grupin të cilin e krijoi një shoqëri. Ai ka qenë pjesë aktive e jetës së natës në qytet. Gjatë kohës kur e gjithë bota ishte e mbyllur dhe në heshtje, Erin GoDance mundësoi që t’i ikim pak asaj lloj vetmie dhe na shoqëroi çdo natë me sesione të ndryshme muzikore live. Muzika dhe energjia e tij pozitive do të na shoqërojnë gjithmonë në kujtimet tona.