EXPRESS

Rokerët më të rinj të Pejës

Takimi i shkopinjve me pjatat e baterive e nisin performancën. Kështu tingujt e krijuar nga bateristi Amar Morina bashkojnë rock-grupin më të ri të Pejës.

Fuqia e baterive, elektriciteti i kitarës dhe butësia e vokalit të Deniza Gafurit janë formacioni i bendit, në të cilin përfshihen edhe Eduard Shala, Zana Islami, Eda Çavolli e Elena Shoshi.

“Ndjesia që ndiej është kënaqësi gjatë shoqërimit dhe të qeshurave që kemi. Për krejt ata që kanë qejf të bëhen bateristë ata duhet t’i hyjnë kësaj pune me qejf dhe dashuri. Nuk duhet dikush të të thotë ta bësh nëse ti nuk e do”, thotë Amar Morina.

Ishte organizata joqeveritare “Peja Rock School”, ajo e cila kishte mbajtur shkollën verore 3-mujore për të rinjtë e interesuar për muzikë. Ndërkaq, qershia mbi torte e mundit të profesorëve ishte bërë themelimi i bendit më të ri të qytetit.

“Nuk e kam pritur që do të jetë kaq e mirë, jam shumë e kënaqur për gjithë atë ‘ushqim’ me plot energji që e kam marrë në “Peja Rock School”. Kam zënë shoqëri të re dhe tashmë e kemi krijuar edhe bendin. Atmosfera gjithmonë është me të qeshura, e gëzuar, nuk ka stres dhe ndihem shumë mirë kur vij këtu”, tha Zana Islami.

Një energji tjetër pozitive reflekton edhe basisti tjetër i grupit, 11-vjeçari Eduard Shala.

“Më kanë shtyrë që të vij këtu ushtrimet që i kam bërë, këtu ka muzikë të çfarëdolloji, jam regjistruar në tupana dhe ende po vazhdoj. Tupanat nuk janë të vështirë të mësohen. Duhet të ushtrosh shumë për ta arritur atë që do”, deklaroi Eduard Shala.

E, profesori Agim Zhuti thotë se me këta nxënës kanë plane afatgjata, për hir të zhvillimit dhe promovimit të talentit të tyre.

“Si sukses i “Summer School” ne i kemi marrë nxënësit më të veçuar dhe kemi krijuar një grup. Kemi qenë shumë të entuziazmuar. Në orën e kaluar kur kemi filluar me këtë grup, kam qenë jashtëzakonisht i lumtur dhe i emocionuar kur i kam parë të pozicionuar nëpër instrumente”, thotë Agim Zhuti. Jam shumë i befasuar që janë shumë të talentuar, disa prej tyre janë nxënës të shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” këtu në Pejë, andaj kjo ka qenë një parapërgatitje e tyre dhe presim shumë prej tyre”.

Rock-grupi më i ri pejan është sapoformuar, teksa ushtrimet e përjavshme po i mbajnë në Qendrën Rinore të Pejës.