EXPRESS

“Anibar” përmbylli edicionin e 12-të

U rikthyen aty ku e nisën. Pas ndezjes së 4 projektorëve në kinematë e Pejës dhe mesazhit të “izolimit” me shfaqjen e 300 filmave të animuar, “Anibar” përmbylli edhe një kapitull.

Të premten u mbajt ceremonia mbyllëse e edicionit të 12-të në Kino Liqeni, duke e gjallëruar jetën kulturore e ekonomike për një javë rresht. E rrugëtimi me plot filma, diskutime, punëtori e prezantime, u kurorëzua me ndarje çmimesh për filmat më të mirë.

Në kategorinë e filmave ndërkombëtarë triumfoi filmi “Souvenir, Souvenir” me regji të Bastien Dubois nga Franca, duke i lënë pas 31 filma të tjerë.

Ndërkaq, filmi i cili portretizoi Kosovën në kohë lufte, “Kush mytet kapet për shkume”, nga Urtina Hoxha, e fitoi çmimin kryesor në garën ballkanike.

“Prek temën e luftës, bombardimet e 99-tës, trajton një grua, e cila ka jetuar në Prishtinë, por për shkak të rrethanave fëmijët s’kanë mund të dalin dhe ajo i merr të gjitha përgjegjësitë”, deklaroi Hoxha.

Në kategorinë e filmave studentorë, ishin 30 narracione të ndryshme, mirëpo, ai që e bindi jurinë për ta merituar çmimin kryesor u bë “Butterfly Jam”, me regji të Shih-Yen Huang nga Franca.

Në kategorinë e cila iu bashkua vjetët e fundit “Anibar-it”, të drejtat e njeriut, këtë vit fitoi filmi spanjoll quajtur "Where were you?” me skenar e regji të María Trénor CoIomerit.

“Festivali ka qenë shumë i mirë dhe njerëzit këtu janë shumë të shoqërueshëm, unë jam e shokuar se si të gjithë të rinjtë e flasin kaq mirë gjuhën angleze, është përvojë e mirë dhe shpresoj që të vij sërish”, ka thënë regjisorja Katarzyna Warzech.

Ndërkaq, në kategorinë “Feature film” organizatorët kishin pranuar 5 filma të gjatë, teksa fitues i sivjetmë është filmi “Kill it and Leave this Town”, me regji të Wilczyńskit nga Polonia.

“Ka shumë gjëra që po ndodhin në botë dhe të gjitha i shohim në filma dhe animatorët janë gjithmonë njerëzit të cilët ndiejnë diçka për botën. Ka shumë tema të fuqishme, e rëndësishme është që temat adresohen. Ajo çka ne vlerësuam, si juri, për të ndarë çmimet ishte filmi përballë temave të vështira”, është shprehur Yvonne van Ulden, anëtare e jurisë ndërkombëtare të festivalit.

E organizimi i sivjetmë u vlerësua edhe nga drejtuesit e institucioneve vendore.

“Është gjithmonë kënaqësi të rikthehem në Pejë, në vendin e artit e kulturës, që ‘Anibar’ e ka ndërkombëtarizuar dhe ky është bërë një Festival i kulturës, i cili e promovon Pejën, e që gjithsesi tash e 12 edicione mirëpret artistë nga mbarë bota”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Përtej ndarjes së çmimeve, “Anibari” këtë vit funksionoi si një mozaik, i cili përmes copëzave të tij bashkohej dhe kumbonte me mesazhin e “izolimit”. Ishin vullnetarët ata, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për organizimin.

Në anën tjetër, panelet e diskutimit trajtuan problematika të ndryshme teksa prezantimet bënë që bota e kineastëve të ofrohet, duke sjellë rrëfime inspiruese nga fytyra eminente të animacionit për publikun shqiptar.

“Anibar” ka hyrë në histori për gjallërimin e kulturës viteve të fundit, e sidomos pas një viti pandemik.