EXPRESS

Portrete yjesh të kinematografisë shqiptare

Idhujt e tij të artit i kujton nëpërmjet realizimit portreteve të tyre. Këtë e bën me teknika digjitale, mirëpo duke përfshirë edhe veçanti e delikatesa të versionit të tij.

Artisti mitrovicas, disenjatori grafik Halil Xhafa, tash e disa kohë po u bën vend yjeve të kinematografisë shqiptare në veprat e tij.

“ Të Kosovës, aktorët e vjetër për mua krejt janë me “Oscar”. Kam filluar me Bekim Fehmiun, kam vazhduar me Muharrem Qenën, pastaj me Lezen. Me Lezen e kam lidhjen emocionale, sepse karakterin, të folurit e të gjitha i ka pasur si nëna ime. Kur kam dashur ta largoj mallin e nënës, e kam shikuar atë”, tha Xhafa.

E kur flet për portretin e Muharrem Qenës, ai tregon se nga çka u frymëzua paraprakisht.

“Muzikat e Muharrem Qenës i kam dëgjuar gjithë, mirëpo i kam dëgjuar edhe intervistat se çka kanë thënë të tjerët. Për shembull, Adem Mikullovci, që ka treguar që ka qenë i rreptë në punë. Gjithmonë ka qenë person i veçantë për mua”, thotë Xhafa.

Deri më tani ka realizuar disa sosh, ndërkaq pritet që t’i jetësojë edhe dy artistë të tjerë të vjetër. Emrat e tyre i mban të fshehtë, teksa tregon për mënyrën se si i realizon ato.

“Portretet janë digjitale, por mundohem që as mos t’ia lë kompjuterit, po as vetes, ta gjej një mes. Siç i keni parë edhe vetë, kanë elemente të digjitales e realizmit. Përpara kur s'i kam pasur pajisjet, i kam bërë vijat e lapsit me dorë, tash i bëj me laps digjital”, tregon ai.

Ndërkaq, ajo që ka mbetur një ndër momentet më të mira të karrierës së tij është reagimi i artistit që e do më së shumti, ai brazilian, i cili komunikoi me të pasi e pa portretin.

“Pas disa punimeve që m’i ka pëlqyer Vik Muniz, ia kam bërë portretin dhe ia kam dërguar dhe më është falënderuar shumë edhe publikisht edhe privat”, u shpreh Xhafa.

E portretet e tij kanë arritur të jenë edhe frymëzim për artistët e rinj ndërkombëtarë.

“Është një portret nga kjo anë, nuk është realizëm. Janë mendime të përziera... e kam quajtur “Memoria e vdekur”. Ka qenë ndër të parat dhe që më së shumti më pëlqen. Pas një kohe jam bërë pjesë e Rrjetit të artisteve eksperimentalë në Amerikë dhe duke hulumtuar në “Google” e kam parë emrin tim në Fakultetin e Medias në Johanesburg, edhe një student më kishte gjetur si inspirim”, deklaroi ai.

Për fund, i diplomuari në master për dizajn grafik, ka një mesazh për ata që i hyjnë këtij rrugëtimi.

“Le të lexojnë shumë, le të blejnë libra shumë. Mos ta kopjojnë askënd, edhe nëse i bëjnë dy vija le t’jenë të tyre, do të shkojë kohë por do ta arrijnë qëllimin”.