EXPRESS

Ndriçim Ademaj sjell botimin e ri të librit “Dera”

Ka kaluar gati një dekadë që kur poezitë e librit “Dera” janë lexuar nga adhuruesit e poezisë.

Libri “Dera” ishte ribotuar në vitin 2012, mirëpo tirazhi mbaroi në vitin 2015. Për shkak që adhuruesit e poezisë e kërkonin vazhdimisht në panaire, Ndriçim Ademaj me librarinë “Pegi” e kanë rikthyer përsëri për lexuesit e rinj.

“Unë jam munduar që të mos prek asgjë që nga botimi i parë. Një poezi që e kam hequr në ribotimin e parë e kam rikthyer. E kam ndryshuar edhe renditjen e poezive, libri ka qenë i ndarë në dy cikle dhe unë i kam rikompozuar dhe i kam renditur në një të vetëm, sepse kam menduar së kështu do ta kisha lexuar më me shumë qejf unë sot. Janë po ato poezi që unë i kam shkruar mes moshës 17 dhe 19-vjeçare dhe nuk kam marrë guximin t’i ndryshoj”, ka thënë Ademaj.

Në vargjet e librit “Dera”, vetmia bëhet e pranishme, njësoj si dëshpërimi, malli e dashuria që vjen në trajtën e gëzimit dhe mërzisë.

Për poetin nga Prizreni që aktivitetin po e zhvillon në Paris, ky libër mbetet si pasaporta e tij në letërsi.

“Pas botimit të dytë të këtij libri, unë kam qenë i ftuar në disa festivale si në Francë, Zvicër dhe në Ballkan. Disa poezi të ‘Derës’ janë botuar fillimisht në frëngjisht, pastaj në gjermanisht, turqisht dhe maqedonisht. Ky libër ka qenë udhëtimi im i parë. ‘Dera’ ajo anija që më ka bërë të lundroj fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj në gjuhë të tjera”, ka treguar ai.

Ai i ka vënë vetes një sfidë të re sa i përket romanit të parë të tij “Pa heronj, pa bujë”. Ademaj është duke u marrë me përkthimin e këtij romani, i cili së shpejti do të botohet edhe në gjermanisht.

“Është sfida më e madhe, sepse është romani im dhe është hera e parë që unë përkthej drejt frëngjishtes. Ky roman do të botohet në gjermanisht gjatë këtij viti ose në fillim të vitit tjetër. Lajmi i fundit është se libri “Këngë nga rruga e farkëtarëve” në frëngjisht”, ka shpjeguar Ademaj.

Ndriçim Ademaj me poezinë e tij ka udhëtuar nëpër festivale ndërkombëtare letrare në Francë, Zvicër e Maqedoni.