EXPRESS

Vajza që prej moshës 15 vjeçe i bie tupanit

Ermira Mustafa qëndrimin e kokës dhe trupit e mban drejt teksa krijon tinguj në daulle. Përmes goditjeve me dy shkopinj, studentja e vitit të parë të Matematikës përcjell melodi të njohura tradicionale.

Qysh prej moshës 15-vjeçare, vajza nga Zhegra e Gjilanit filloi lojën në daulle, fillimisht në shtëpi, e më pas edhe në shumë ahengje e dasma. Duke qenë valltare si e vogël, ajo nuk e kishte të vështirë që më pas t’i ekzekutonte ato melodi në instrumentin popullor të njohur edhe si tupan.

“Qysh e vogël kam qenë valltare së bashku me motrën ku kam shkuar në dasma. Ia kam filluar të ushtroj vetë në shtëpi derisa më ka ardhur mundësia për të shkuar në një dasmë për ta zëvendësuar një tupanxhi. Një shok i babit kur na vizitoi, na tha që e ka një tupan, të cilin ia kërkova që të provoj të ushtroj, pasi që jam valltare dhe i njoh ritmet. Në shtëpi, kur ushtroja nuk e kisha ndonjë surlaxhi me përcjellje, por vetëm me “YouTube” derisa babai më vuri në kontakt me një surlaxhi dhe që në dasmën e parë e pashë që njerëzit po më presin shumë mirë”, ka thënë daulltarja e re për KOHËN.

Përveç përkrahjes, ajo tregon se fillimisht ka pasur edhe shumë paragjykime, të cilat i ka mposhtur me punën dhe pasionin e madh.

“Në fshatin tim ka shumë që merren me këtë punë. Në fillim shumë persona i kanë thënë babait “mos e lër që të luajë me këtë instrument” por mua nuk më kanë interesuar fjalët e të tjerëve dhe vetëm kam vazhduar”, tregon ajo.

Muajt korrik dhe gusht janë më të zënë për të dhe as ritmi i gjatë i punës thotë se nuk e lodhë. Këtë kohë e ka shfrytëzuar për të mësuar edhe shumë valle të reja.

“Në fillim i kam ditur vetëm vallet që kërkohen më së shumti, mirëpo me ushtrime me grup dhe në shtëpi, me kohë kam mësuar që t’i luaj të gjitha vallet, përfshirë këtu edhe vallet ritmike edhe të burrave”, tregon Ermira.

Pas pritjes së mirë që iu bë në dasmën e parë, Ermira Mustafa së bashku me instrumentistët e tjerë e formuan grupin “Tradita”.

Surlexhiu Sabri Klaiqi thotë se Ermira qysh në dasmën e parë i kishte bindur se mund t’ia dalë me këtë instrument.

“Ermira ka filluar si shumë e re, në moshën 16-vjeçare, dhe fillimisht kam pasur frikë se mos nuk mund ta përballojë, sepse tupani nuk është dhe instrument shumë i lehtë për vajza dhe në dasmën e parë e pashë që nuk ka problem dhe mund ta përballojë”, thotë ai.

Klaiqi tregon se Ermira e bën grupin shumë të veçantë dhe kur marrin ftesa, dasmorët fillimisht pyesin për daulltaren e re.

“Jemi si grup i veçantë dhe njerëzit kur na thirrin në telefon, na thonë a jeni ju ai grupi që e keni vajzën me tupan në grup”, shton ai.

Mustafa ka një mesazh për të gjitha vajzat që duan të mësojnë lojën me daulle. Studentja e Matematikës thotë se është e rëndësishme që të mos dorëzohesh së ndjekuri ëndrrën.

“Të gjithë ata që e duan një fushë të caktuar, do t’ju thosha mos u dorëzoni që të arrini aty ku doni ju. Kjo është punë që deri tani e kanë bërë vetëm femrat, por pse mos ta bëjmë edhe ne pasi që kemi fuqi. Vajzat e tjera që duan të kryqen pse jo sepse është një punë shumë e mirë”, thotë Ermria Mustafa.

Ermira Mustafa së bashku me grupin “Tradita” , me muzikë e veshje kombëtare do të vazhdojnë të përcjellin ritme të muzikës popullore shqiptare.