Veprat e ndryshme të autorëve vendas e të huaj nuk qëndrojnë në raftet e bibliotekës. Ato kanë zënë vend në instalacionin e punuar nga nxënësit.
Me kombinimin e kopertinave dhe ngjyrave në mural, nxënësit realizuan thirrjen e tyre artistike për librin.
“E kemi bërë edhe instalacionin me librat, i cili lidhet me muralin për Ditën Ndërkombëtare të Librit. E kemi marrë stiropolin edhe kemi ngjitur kopertina të autorëve të ndryshëm”, thotë Orgesa Spanca, nxënëse e shkollës “Zenit”.
Mundin e saj artistik e ka dhënë edhe nxënësja e klasës së 9-të, Hasime Gërxhaliu.
“Mesazhi i tij ka qenë se sot adoleshentët i përdorin më shumë rrjetet sociale se librin, gjë që është e gabuar për mendimin tim”, thotë Gërxhaliu.
Mirëpo, kjo nuk është puna e vetme e realizuar nga këta nxënës. Cikli i ulët dhe ai i mesëm i kësaj shkolle është bashkuar edhe te një pjesë tjetër, për të shprehur me forma dhe elemente të ndryshme atë që ndien.
Shpend Miftari si një kitarist i ri, ka vendosur të lërë gjurmë në këtë mural përmes kasetës muzikore.
“Ky mural i ka shprehur dëshirat e nxënësve, çfarë kanë pasur në mendje. Gjatë pandemisë të gjithë nxënësve iu kanë munguar lojërat, udhëtimi në shtetet e tjera dhe kampingjet e ndryshme”, tha Miftari.
Mësimdhënësja Harisa Rexhepi, qëndroi pranë këtyre nxënësve gjatë gjithë procesit të punës. Qëllimi i saj ishte që t’i bindë nxënësit për rëndësinë e librit.
“Murali i parë që e kemi bërë, ka qenë për hobi të nxënësve, që e kemi quajtur “Bota jonë”, kurse muralin lartë e kemi quajtur “Të mos e harrojmë” për shkak që libri është në harresë, e ne kemi dashur të shprehim që nuk duhet të zëvendësohet me gjëra të kota, me rrjete sociale”, tregon Rexhepi.
Muret e kësaj shkolle do të vazhdojnë të bartin vepra arti, teksa do të ruhet kontributi i nxënësve ndër gjenerata.