Kreativiteti krijues e ka bërë që edhe drurin ta shohë si një mundësi transformimi artistik. Copëzave të vogla Edina Qorrolli ka filluar t’u japë gjallëri përmes kombinimit të ngjyrave.
“Fillimisht kam dashur të nis të bëj diçka, duke pasur parasysh që më pëlqen arti dhe ‘fashioni’ shumë. Unë kam gjetur diçka në mes të tyre, e që janë aksesorët. E kam menduar në një mënyrë më unike, me dru. Kam vendosur përmes rrethit të ngushtë, të cilët më kanë shtyrë të hap një faqe në Instagram dhe ta zhvilloj më shumë këtë lloj biznesi. Është një hap i vogël për planet që i kam në të ardhmen”, ka thënë Qorrolli.
Kështu kishte nisur rrugëtimi, të cilën e sheh me një këndvështrim unik.
“Më pëlqen shumë, sepse është një mënyrë që shprehesh edhe nuk ke nevojë të mendosh shumë për atë. E merr ngjyrën, e vendos në dru dhe vazhdon ashtu siç të vjen, dhe kjo është si një lloj çlirimi emocional”, ka shtuar ajo.
Edina tregon për mënyrën se si i burojnë idetë për aksesorët.
“Frymëzimi është diçka e papërcaktuar në këtë pjesë, për shkak që mund të jetë prej një emocioni, prej një dite që e kam kaluar, prej personave të mi ose prej një ngjyre, duke u bazuar në të vjen edhe një ide tjetër dhe kështu e vazhdoj. Është shumë e papërcaktuar dhe kjo më pëlqen më shumë, nuk ka diçka fikse, është diçka me valë-valë”, është shprehur ajo.
Aksesorët e dizajnuar nga Edina kanë pamje të ndryshme dhe secila dallon nga tjetra.
“Format që i përdor janë nëse dua të përdor piktura të vogla që janë këto si rrathë, për shkak që kanë më shumë sipërfaqe. Përdor këtë hark për të bërë diçka më ndryshe se këto tjerat. Forma që imitoj prej objekteve të tjera”.
Nga faqja e saj në rrjete sociale si “flutura jeëels” ajo merr mesazhet nga klientet e saj.
“Më bën mirë ajo pjesa kur unë i pyes ‘a ju ka pëlqyer’ dhe ata ma kthejnë gjithmonë me komente pozitive. Ose më dërgojnë fotografi me vathë ose qafore”, ka thënë Edina Qorrolli.
Puna e saj artistike po vazhdon të përkthehet si bukuri e dukjes së të tjerëve.