EXPRESS

Kisha sase në Mitrovicë, pikë ideimi arkitektonik

Është një vulë historike që dëshmon pasurinë e trashëgimisë kulturore të vendit. Kisha saksone në fshatin Stantërg i ka rezistuar kohës, duke u bërë gjurmë e shekullit të 13-të.

E quajtur si kisha “Shën Pjetri”, ajo është ndërtuar nga saksonët për nevoja të tyre në kohën kur erdhën si minatorë në qytetin e xeheve, Mitrovicë.

Që nga ajo kohë e deri më sot, kanë mbetur vetëm pjesa e tri absidave në anën lindore, muret rrethuese, tri hyrjet e saj si dhe mbetjet e një afreske, e cila është në zhdukje e sipër.

Në anën tjetër, arkitektet Leunita Syla dhe Gresa Kuleta kanë projektuar rikonstruktimin ideal dhe zgjerimin e Kishës, duke ia shtuar asaj edhe disa funksione shtesë përtej të qenët një objekt kulture.

Përballja e tyre e parë me Kishën kishte ndodhur në vitin 2016, si pjesë e një workshopi, me ç’rast vite më vonë gjatë studimeve ato iu përvolën punës.

“Çka ka mbet këtu është pak, mirëpo për të vazhduar tutje është edhe shumë sepse, kanë mbetur muret rrethuese. Ne kemi bërë gjetjen e gjendjes burimore, do të thotë si mund të dukej Kisha në shekullin e 13-të, duke hulumtuar në kishat e mëhershme, si ato anglo-saksone ashtu edhe kisha ‘Shën Kolli’ në Shqipëri. E kemi parë që lidhja është bërë me shtylla dhe harqe brenda, kemi informata edhe rreth mureve të Kishës për shtyllat edhe në fund të absidës ku bëhet lidhja”, thotë Leunita Syla, arkitekte.

Në anën tjetër, Gresa tregon detajet me të cilat karakterizohet projekti i tyre.

“Gërshetimi i dy instalacioneve të dy arkitektëve siç është Edoardo Tresoldi dhe Suo Fujimoto, na ka mundësuar neve ta kemi një ide të instalacionit tonë, për ta bërë rikonstruktimin ideal që të bëjmë një instalacion gjigand që do t’i jep një frymë ndryshe vendit dhe të tërheqë sa më shumë njerëz. Si dhe hapësira të jetë shumëfunksionale”, tha Gresa Kuleta, akitekte.

Shfaqja e ekspozitave në galeri, e filmave në kinema, e kurorëzimeve të çifteve dhe organizimeve të tjera janë pjesë e projektit të tyre.

“Ne kemi vendosur edhe zgjerimin e Kishës me aneks, për të pasur një vend ku të pishë kafe apo të kalosh një pasdite me familje. Thjesht e kemi menduar një ikje nga kaosi i qytetit për të ardhur këtu lart, që na ka mundësuar edhe lokacioni i Kishës e që është i përshtatshëm”, shtoi Kuleta

Ndërkaq, ajo që bie në sy në rikonstruktimin ideal dhe zgjerimin e këtij objekti, është te detajet e dukjes.

“Ideja e rikonstruktimit ideal përmes instalacionit dhe shufrave ka qenë për arsye që të përfshijë një numër më të madh të komunitetit e jo që të kthehet në formën e objektit sakral dhe mund të rrezikohet funksioni i objektit të trashëgimisë kulturore”, tha Syla.

Kisha sase “Shën Pjetri” është në kuadër të objekteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje shtetërore.