Tingujt e kitarës e shoqërojnë në çdo interpretim muzikor. Plator Gashi, i cili është i njohur për përpunimin e këngëve të vjetra shqiptare, në fillim të këtij viti ka publikuar këngën e parë origjinale të titulluar “Msheftas”.
E incizuar në vitin 2019, kënga u publikua pas gati dy vjetësh. Platori vendosi të mos ndërhyrë më tutje në këtë këngë, për të përçuar kështu ndjesitë që kishte fituar gjatë realizimit të saj.
“Kam shkruar copëza të vogla prej fillimit, por është problem me i marr dhe me i bo bashkë. Për këtë këngë jam gëzuar shumë, sepse e kam nisur dhe përfunduar përnjëherë. Ka qenë në verën e vitit 2019 kur unë u gëzova shumë kur e realizova. Incizimi nuk është diçka spektakulare e për atë arsye doja me incizu diçka. Një kohë e lashë për ta përpunuar, si në një gjysmë gjumi”, ka treguar Platori.
Për të, realizimi i një kënge origjinale, mbi të gjitha është gjurmim brenda vetes.
“Kur përfundoi viti 2020 dhe e dëgjova edhe njëherë, thashë kjo është kënga e vetme që e kam para pandemisë dhe po kom qejf me qit qashtu qysh e kam incizuar atëherë, duke e ruajtur ndjenjën që ka qenë brenda meje kur është incizuar. Për mua ka qenë shumë më e rëndësishme vlera sentimentale e saj sesa incizimi”, ka shpjeguar tutje Gashi.
“Msheftas” me tekst e kompozim të Platorit, ngërthen në vete elemente nga kujtimet e fëmijërisë së këngëtarit.
Kënga e cila përthekon nostalgjinë dhe emocionet e tij vjen si dedikim për të afërmit e Platorit.
“Kjo këngë e ka emrin “Msheftas” dhe tregon për lojën msheftas, symbyllurazi që e kemi luajtur si fëmijë. E kemi luajtur shumë si fëmijë, e kemi pasur një oborr të madh ku kemi luajtur dhe jemi kënaqë dhe kur e mendoj tash ata njerëz me të cilët kemi luajtur tash e shoh që nuk janë më kërkund. Njëfarë mënyre loja e fundit nuk ka qenë loja e fundit, por ka qenë masi jemi kthy në shtëpi dhe jemi mshefë prej njëri-tjetrit, ka vazhdu jeta dhe dinamika ka ndryshu dhe është ajo orvatje për ta gjetur prapë njëri-tjetrin dhe me vazhdu me qenë bashkë”, ka shpjeguar tutje Platori.
Incizimin e këngës e ka bërë me kitarën e parë, me të cilën nisi rrugëtimin e nxjerrjes së tingujve. E dëgjimi i rrymave të ndryshme muzikore kanë goxha ndikim në gjithçka që krijon ai.
“Kjo është kitara e parë që e kam blerë në jetën time, para rreth 14 vjetëve dhe ajo mandej është bërë element i qasjes që e kam marrë për këngë për më mbet ajo kitarë që e kam prekë për herë të parë në jetën time. Unë dëgjoj muzikë të të gjitha rrymave që mandej përkthehen në mënyrën se si krijoj apo i përpunoj këngët”, është shprehur më tutje ai.
Rastësia është ajo që e udhëheq krijimtarinë e tij muzikore, Platori me këtë qasje do të vazhdojë edhe më tutje rrugëtimin e tij artistik.