Naile Ismajli ishte vetëm 17-vjeçare kur jeta saj mori kuptim tjetër. Madje, për një moment mendoi se ajo nuk ishte më, se aksidenti i mori çdo gjë që kishte.
Në një rrëfim për KTV-në, Ismajli ka treguar se si 27 vjet më parë një ditë - edhe pse vazhdimisht me traktor bashkë me babanë dhe kushërinj të tjerë bënin të njëjtën rrugë – një gur i madh ua preu rrugën dhe çdo gjë i ndryshoi në jetë.
“Kur e kam pa veten që e kam humb dorën ka qenë shok, tmerr ka qenë. Nuk mundem ta përshkruaj çfarë dhimbje, por e kam kaluar atë sfidë, kam thanë për mu jeta defintivisht ka mbaru, kam thanë pse s'kam vdek. Kur lind, nuk e kanë atë ndjenjën se çka është jeta normal, por mua më ka dhënë shtyrje babai”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se babai i saj ishte arsyeja pse ajo vazhdoi të shihte dritë në jetë.
“Sa herë më ka thënë 'ah, bre babë, unë të kam ba kështu', i thosha 'jo, babë, pse çka më ki bo ti mu? Unë po e rriti djalin, po pastroj dhe nuk po kam nevojë për asnjë ndihmë”, ka rrëfyer mes emocionesh ajo. “Sot jetoj për djalin, për të ardhmen dhe kujtimet e tij”.
Përveç se u detyrua të përshtatet me një mënyrë të re jetese, Nailja përballoi edhe një presion të rëndë psikologjik.
Jeta e nje gruaje e cila luan role të shumëfishta, duke nisur nga sigurimi i ekzistencës për fëmijën e saj, edukimin, përkujdesin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, është padyshim shumë më e vështirë kur humb edhe dicka aq të rëndësishme, njërën dorë.
Pervec kesaj, ballafaqimi me shikimin dhe kureshtjen e të tjerëve pse je ndryshe është rrëfim në vete.
Ajo kujton çdo moment të ketij rrugëtimi që doli të jetë kthesa më e madhe në jetën e saj.
“Çdo nanë, çdo prind e lus t’i edukojnë fëmijët mos me paragjyku se djali jem ka pas shumë problem me paragjykime. Unë jetoj vetëm për djalin tem, kur e shoh ato më vjen vullnet, them shyqyr që jam e fortë dhe do të vazhdoj tutje të jem një shembull i të gjitha nanave. Ju bëj apel të gjithëve që t'i edukojnë fëmijët mos të paragjykojnë që edhe ne jemi njerëz normal”, ka thënë ajo.
Nailja, nënë vetushqyese, qëllim kryesor në jetë ka edukimin e djalit të saj, tashmë 15 vjeçar. Përmes fuqisë së fjalëve, ajo synon të depërtojë edhe tek çdo familje tjetër, me apo pa aftësi të kufizuara, që të ndalin cdo paragjykim ndaj çdo personi. Mbi të gjitha kërkesa e saj është që fëmijët të edukohen në një frymë ku paragjykimet nuk kanë vend.