EXPRESS

“Green Fest” përmbyll programin muzikor me Elina Dunin

Edicioni i dhjetë, festivalin “Green Fest” e gjeti në rrethana të jashtëzakonshme të kushtëzuara nga pandemia.

Ky festival, që tradicionalisht është organizuar në hapësirat e qytetit të Mitrovicës, këtë vit ka depërtuar tek publiku përmes platformave virtuale.

Sërish festivali ka shtrirë aktivitetet mes një programi edukativ dhe kulturor, i cili është i përcjellë edhe me performanca muzikore online.

“Ne jemi munduar ta realizojmë programin ashtu siç e kemi paraparë. E kemi pasur një program të gërshetuar mes programit edukativ dhe programit kulturor, kështu që qëllimi ynë është arritja edhe pse në rrethana të ndryshme. Ne kemi arritur që këto programe t’i zhvillojmë krahas njëra- tjetrës përmes platformave online”, ka treguar Lulzim Hoti, drejtor i “Green Fest”.

“Programi muzikor i “Green Fest” ka përzgjedhur emra të veçante të muzikës shqiptare.

Nëpërmjet platformave online, Nezafete Shala, Elina Duni, Genc Salihu, Eugent Bushpepa, Plator Gashi do të sjellin këngë për audiencën e këtij festivali.

“Të gjitha koncertet që janë realizuar online kanë përfshirë artistë më me nam që ne i kemi konsideruar që duhet të përfshihen në këtë vit duke gërshetuar muzikë sa më gjithëpërfshirëse, pra jo vetëm për një shtresë të qytetarëve. Jemi munduar që muzika që është përfshirë në koncerte “online” të përfshijë shijet e sa më shumë qytetarëve, duke filluar nga muzika e lehtë qytetare e vjetër, rock, pastaj jazz dhe forma të tjera që tashmë veçse janë dëgjuar dhe parë në formën tonë”, ka shtuar tutje ai.

Lulzim Hoti, tutje tregon se nëpërmjet këtij edicioni virtual kanë arritur që ta zgjerojnë audiencën e tyre.

“Ne kemi pasur sfidë si çdo festival tjetër që të përshtatemi në një mjedis krejt tjetër, ku duhet të përshtatemi në një mjedis krejt tjetër të punës në rrjete sociale dhe të organizojmë edhe mënyrën e xhirimit. E gjithë kjo ka bërë të mundur që “Green Fest” të shtrihet me të madhe në mesin e qytetarëve të Kosovës, andaj mund të them se kemi arritur sukses pasi që në edicionin e dhjetë përmes rrjeteve sociale kemi pasur shtrirje në të gjithë Kosovën dhe jemi shumë të kënaqur me të arriturat në këtë drejtim”, ka treguar tutje Hoti.

Festivali “Green Fest” do ta përmbyllë programin muzikor sonte me performancë të realizuar prej shtëpisë nga artistja Elina Duni.