EXPRESS

Ministrisë së Kulturës i projektohet zbritje buxheti për 9.2 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se kulturës, rinisë dhe sportit për vitin e ardhshëm i mjafton shumë më pak buxhet sesa sivjet. Këtë e ka bërë kur ka projektuar financat e shtetit për vitin 2021.

Buxheti i shtetit vitin e ardhëm do të ketë 100 milionë euro më shumë, por dora është shtrënguar për Ministrinë e Kulturës.

Sipas Projektligjit për ndarjet buxhetore të vitit që vjen, Ministria e Kulturës do të ketë fiks 9 milionë e 270 mijë euro më pak se këtë vit.

Projektligji i dërguar në Kuvend përcakton se në vitin 2021 Ministria e Kulturës do të ketë 34 milionë e 905 mijë euro buxhet.

Sivjet kishte 44 milionë e 176 mijë euro, raporton KOHA.

Kultura në total sivjet kishte 9 milionë e 714 mijë euro. Por për vitin që vjen i janë planifikuar 8 milionë e 936 mijë euro. I bie të jenë 777 mijë euro më pak. Por dallimi thellohet brenda kategorive të këtij sektori. Goditja më e madhe u është bërë investimeve kapitale.

Për projekte MKRS-ja do të ketë 1 milion e 457 mijë euro më pak. Kësisoj nga 3.4 milionë do të jenë 1 milion e 943 mijë euro. Numri i projekteve kapitale në kulturë është zbritur nga 21 në 18. Janë kryesisht projekte të cilat Ministria ndër vite i riciklon nga viti në vit.

Buxheti i kulturës institucionale është rritur për 516 mijë euro, duke shkuar në 2.1 milionë. Por kanë pësuar fondet për kulturën e pavarur duke u zbritur për 131 mijë euro.

Si kategori më vete trashëgimia kulturore për këtë vit kishte 7.1 milionë e për vitin që vjen do të ketë 6.7 milionë. Janë 382 mijë euro më pak. Prej tyre, 188 më pak janë ndarë për investimet kapitale. Nga 4.2 milionë euro që kishte për këtë vit, kjo kategori do të ketë vetëm 4 milionë euro.

Edhe sa i përket trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës ka ricikluar shumicën e projekteve të viteve të kaluara. Nga 70 projekte kapitale që ishin paraparë sivjet, numri ka rënë në 61 për vitin e ardhshëm.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës nuk i kanë komentuar shkurtimet e planifikuara buxhetore.