EXPRESS

Gara “Artistët e së nesërmes 2020”- ekspozitë e finalistëve

Veprat e tre finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes 2020” janë vendosur në hapësirën e ish-Klubit të Boksit në Prishtinë.

Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka dhe Briliant Milazimi janë përzgjedhur nga juria e qendrës për art bashkëkohor “Stacion,” për të prezantuar punimet e tyre në këtë ekspozitë. Çmimi që ofrohet në këtë rast synon të mbështesë artistët e rinj, duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në atë qendror, në shoqëri, raporton KOHA.

Projektet e artit pamor të finalistëve u shfaqën para publikut të hënën, në ngjarjen e cila do të mbyllet në mbrëmjen e 11 dhjetorit, me shpalljen e fituesit të kësaj gare.

Vepra e Laureta Hajrullahut është mjaft karakteristike. Ajo u qaset çështjeve kritike në mënyrë poetike, ndërsa vështron mediat digjitale si përcaktues të jetës bashkëkohore.

Me anë të një videoje dhe pikturës që përmbajnë imazhe të koduara që kanë të bëjnë me përvoja reale dhe imagjinare, piktori Shkamb Jaka i ka hyrë garës për të triumfuar.

Gara “Artistët e së nesërmes” organizohet nga “Stacion” për të përkrahur artin bashkëkohor në Kosovë.

Fituesi nga “Artistët e së nesërmes” do të ketë mundësi vitin tjetër të ekspozojë veprën në një rezidencë artistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.