EXPRESS

“Kuzhina anasjelltas” për traditën e ushqimit

Në kinemanë Lumbardhi, përkatësisht në kuzhinën e saj verore, që është themeluar si një hapësirë për grumbullim, eksperimentim dhe shijim të ushqimit, për tri ditë ka zënë vend programi "Kuzhina anasjelltas".

Njëherësh ka shërbyer edhe për lansimin e Platformës Bashkë-krijuese “GërrGërr”, që sipas themeluesve inkurajon krijuesit, artistët dhe punëtorët në sektorin e kulturës të hyjnë në dialog me trashëgiminë kulturore për të prodhuar qasje, perspektiva dhe lexime të reja të artit, kulturës dhe historisë lokale, raporton KOHA.

Në natën e hapjes, Blerta Ismaili nga CHwB Kosova ka theksuar se platforma “GërrGërr” është themeluar nga 7 organizata të kulturës dhe profesionistë tjerë të kulturës.

“Qëllimi i platformës bashkëkrijuese është në fakt të krijohet një hapësirë ku mundësohet prodhimi, edukimi dhe krijimi me qëllim që të ndërveprohet me trashëgimi kulturore”, ka thënë Ismaili.

Programi i parë i kësaj platforme respektivisht “Kuzhina Anasjelltas” për tri netë ka përfshirë biseda mes folësve, që kanë ndarë perspektiva të ndryshme mbi interpretimet bashkëkohore të praktikave tradicionale të gatimit, si dhe prodhimit të ushqimit dhe ekonomisë.

Folësja e parë, Diona Nojani nga Kuzhina e Lumbardhit ka shpalosur përvojën e saj në udhëheqjen e Kuzhinës Verore të Lumbardhit, prej konceptimit e deri te interpretimi në meny i mënyrave që ajo i ka aplikuar duke integruar elemente të ushqimit tradicional.

“Për herë të parë në Lumbardh ka qenë kuzhina verore në vitin 2019, që për mua ka qenë mundësi shumë e mirë edhe kënaqësi me marrë pjesë këtu. Menyja ka qenë me produkte pa mish, por me shumë jena fokusu në ushqime tradicionale tonat dhe vendeve të ndryshme”, është shprehur Nojani.

Ajo ka treguar se si në fillim ka pas sfida për ti prezantuar shijet e reja te vizitorët e kësaj kuzhine.

“Eksperienca këtu në kuzhinë më ka bo me pa që njerëzit nuk janë shumë shumë të hapur për ushqime të reja, shije të reja, dhe ka pas raste që e kam marrë lugën e ju kam thënë provoje, provoje, me zor i kam shti njerëzit me i provua do sende. Por pas një kohë kanë filluar disa me u mësu me disa sende dhe kanë vazhdu me ardhë me provu sende të reja”, ka shtuar Nojani.

Ndërsa Jeton Jagxhiu para të pranishmëve ka paraqitur Ditarin Ushqimor të Prizrenit, një projekt personal që synon gjetjen e identitetit të qytetit nëpërmjet trashëgimisë së saj ushqimore.

Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një projekt 52 javor, që përmbledh ciklin vjetor të produkteve që dalin në tregun e Prizrenit, gjë që sipas tij është edhe epiqendra e trashëgimisë ushqimore, bashkë me shtrirjen në qytet në traditat ushqimore dhe gatimet e familjeve.

Sipas tij, Kosova ka kaluar një tranzicion të madh, ku shumica e trashëgimisë është humbur, dhe se vendi i vetëm ku trashëgimia është më së paku e dëmtuar është te gatimet e qytetit dhe tradita ushqimore.

"Për me pas traditë ushqimore, kulturë, duhet me i pas të dyjat, edhe gjeografinë e mirë, mirëpo edhe kulturën, do me thënë trashëgimia ushqimore krijohet prej njerëzve”, ka thënë Jagxhiu.

ka folur më gjerësisht për gjetjet e tij gjatë rrugëtimit për dokumentimin e kësaj trashëgimie ushqimore, gjersa ka bërë edhe ndërlidhjen e produkteve, që sipas tij janë gërshetuar mjeshtërisht në gjellat tradicionale të Prizrenit.

është kryevepra e kuzhinës së Prizrenit, gatimi më solemn, që shërbehet për raste të veçanta dhe është si Prizreni, ka shumë ngjyra, shumë shije, ato të gjitha përzihen. Ka shije prej maleve, ku dashi është prej maleve, perimet prej një zone tjetër klimatike, dhe kjo është gjellë tipike e Prizrenit. Ka njëfarë fuzioni, njëfarë përzierje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Jagxhiu.

Në ditët në vijim Baton Domi nga Soma ka folur për Ushqimin nëpër lartësi mbidetare derisa Nikolin Kola dhe Bledar Kola nga Fondacioni Rrno, Mullixhiu, kanë prezantuar Ekspeditën e Gastronomisë Shqiptare.

Përmes “Kuzhinës anasjelltas” si dhe bashkëpunimeve ndërdisiplinore dhe ndër-sektoriale, platforma “GërrGërr” synon të përmbush kërkesat e trashëgimisë kulturore në kontekstin lokal dhe të sigurojë mbështetje dhe qëndrueshmëri të nismave lokale.