EXPRESS

20 vjet rrugëtim mes sfidave e suksesit

Para njëzet vitesh, një grup entuziastësh të muzikës, vuri themelet e Filarmonisë së Kosovës.

Më 27 shtator të vitit 2000, u prezantuan për herë të parë para publikut në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Me kalimin e kohës, Filarmonia sa vjen e rritet por edhe dy dekada më vonë, shumica e koncerteve realizohen në të njëjtin vend, pa kushte adekuate, raporton KOHA.

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës u themelua pas luftës së fundit në Kosovë, me iniciativë të disa muzikantëve të dalluar kosovar. Fillimisht si ansambël harkor e më vonë orkestër kamertale, ky institucion paraqet vazhdimësinë e punës së ish-orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës.

Ky vit shënon festë 20-vjetorin e themelimit të institucionit që e ka dëshmuar profesionalizmin para emrave të mëdhenj që kanë dirigjuar e shoqëruar orkestrën në skenë. Krahas kësaj, nuk kanë munguar as paraqitjet ndërkombëtare nëpër shtete rajonale por edhe qendra globale të kulturës si Tokio, Romë, Londër, Paris e Ankara.

Festa e përvjetorit jubilar nisi në muajin shkurt kur orkestra e Filarmonisë së Kosovës mori direktivat e dirigjentit e violinistit me nam botëror, Maxim Vengerov. Në 250-vjetorin e lindjes së Beethovenit, u interpretuan veprat e tij.

Por siç ndodhi me të gjitha institucionet e kulturës, për shkak të pandemisë edhe Filarmonia e Kosovës pezulloi aktivitetet.

Rrugëtimi 20-vjeçar i këtij institucioni është një histori suksesi. Por mungesa e kushteve elementare siç është salla koncertale vazhdon të mbetet sfida kryesore për muzikantët.