Me melodinë e vjetër të Nazefete Shalës është përmbyllur festivali Etnofest.
Për tri ditë radhazi sa ka zgjatur festival tradicional në fshatin Kukaj, programi ka përfshirë ekspozim të artit vizual, si piktura, grafika, skulptura, qeramikë, fotografi dhe etno eksponate, raporton KOHA.
Shfaqje e dokumentareve, shfaqje teatrore, punëtori kreative dhe atelie të hapura, Kulinari tradicionale, program për fëmijë, performanca të ansambleve të ndryshme të muzikës dhe valleve popullore, kanë ngjeshur programin e këtij edicioni.
Duke qenë edicion jubilar, Etnofesti ka pasur gruan në qendër të vëmendjes. Duke e paraqitur atë si burim të jetës, kryesisht janë prezantuar aktivitetet dhe krijimtaria e grave.
Ndërkaq, në përfundimin e këtij festivali juria profesionale ka ndarë edhe çmimet kryesore të Festivalit.
Janë shpërblyer, shfaqja më e mirë, performance, regjia, aktorët, ansamblet, valltarët, instrumentistët dhe kostumografët.
Organizatorët kanë thënë se çdo vit janë munduar të eksplorojnë në traditë, për të parë se cilat janë ato vlera që duhet trashëguar nga brezat e rinj.
Vitet e kaluara etnofestivali është mbajtur në muajt e verës, por këtë vit për shkak të pandemisë ishte shtyrë për fundin e shtatorit.