EXPRESS

“Qeleshet” në miniaturë dhe stilolapsi i Adem Demaçit, si përpjekje për të ruajtur vlerat kombëtare

Ka skalitur në mermer formën e tri qelesheve si përpjekje për t’i ruajtur e dokumentuar vlerat kombëtare.

Plisat që u përkasin krahinave të ndryshme janë formësuar në miniaturë nga skulptori autodidakt, Haxhi Gjoni.

I brengosur se kjo traditë nuk po bartet te brezat e rinj, artisti nga Peja ka punuar tri qeleshe në dimensionet dymbëdhjetë centimetra lartësi dhe tetë gjerësi.

Krahas qelesheve, ai në miniaturë e ka punuar edhe portretin e Lekë Dukagjinit, si dhe një stilolaps të rrethuar prej gjarpri si sinonim i rezistencës së veprimtarit Adem Demaçi.

I pasionuar pas gdhendjes së figurave në gur, Gjoni thotë se një pjesë e krijimtarisë së tij u dedikohet figurave kombëtare.

Haxhi Gjoni, para dy vjetësh hapi ekspozitë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.

Ai e kishte në plan hapjen e një ekspozite në qytetin e tij të lindjes, por për shkak të gjendjes së pandemisë organizimin e ka shtyrë për vitin tjetër.