Në bregun e Lumbardhit, pak kilometra në dalje të Prizrenit, është përuruar kampi, ku turistët mund të pushojnë me automjetet përkatëse apo tendat e tyre.
Ky projekt është pjesë e angazhimeve të pushtetit lokal për diversifikimin e ofertës turistike në Prizren.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka theksuar se në këtë hapësirë investimet kanë filluar vitin e shkuar, ndwrsa ka qenw kërkesw e shoqatave të ndryshme është parë e udhës që të krijohet auto-kampingu.
“Ky është autokampingu i parë pas luftës në Kosovë, ku turistët që vijnë me vetura, të cilët janë për kamping mund të parkohen këtu, të furnizohen me rrymë, kanë toaletet dhe gjërat tjera që nevojiten për një autokamping”, ka thënë Haskuka.
Sipas tij, në këtë autokamp janë krijuar vende për 10 automjete si dhe vende për tenda, derisa menaxhimi do të bëhet bashkë me shoqatën e bjeshkatarëve
Ndërsa drejtoresha e Turizmit në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz ka theksuar se gjatë vizitave në panaire të ndryshme dhe në biseda me shoqatat vendore është parë nevoja për krijimin e një kampi të tillë.
“Kostoja e projektit është rreth 20 mijë euro. Është një destinacion i ri turistik, që mund të shfrytëzohet nga turistët që vijnë nga jashtë, diaspora dhe nga turistët vendorë”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër Sadik Shporta nga Shoqata e Bjeshkatarëve ‘Sharri’ ka theksuar se anëtarët e kësaj shoqate bashkë me qytetarët do të mundohen që ta mirëmbajnë këtë hapësirë.
“Ne do ta luajmë rolin tonë në aspektin e mirëmbajtjes së kampit, i cili lidh Prizrenin me të gjitha shtigjet tjera që janë shënjuar nga shoqata e bjeshkatarëve deri në shtëpinë malore”, tha Shporta.
Sipas tij, në vitet e fundit Prizreni ka investuar në turizmin malor dhe duhet të vazhdojë në këtë drejtim me qëllim që të rritet numri i vizitorëve që shijojnë bukuritë natyrore në këtë anë.
Drejtuesit e Komunës kanë theksuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë investimet për shtimin e ofertës turistike në territorin e Komunës së Prizrenit.