Lajme

Alpinistët kosovarë falënderojnë miqtë – Dita 45

Dy alpinistët kosovarë, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, kanë përshëndetur përkrahësit e tyre për mbështetjen në ekspeditën e Kosovës për pushtimin e majës më të lartë në botë, Everest.

Ata thonë se përkrahja e njerëzve është motivi më i madh i tyre.

Ky është mesazhi i tyre:

Përshëndetje miq,

Ekspedita e Kosovës në Everest, e organizuar nga Klubi Alpin Prishtina, është duke iu afruar cakut.

Si të gjitha Ekipet Alpine nga mbarë bota, edhe ne jemi plot besim dhe shpresë se dita finale do të na shkojë mbarë.

Vazhdimisht ka lajme për mot te pasigurt, vendosje dhe rivendosje te litarëve, shkëputje shkallësh dhe të tjera informata që, me të drejtë, i brengosin alpinistët. Jemi përpjekur, nëpërmjet KOHË-s t’ju njoftojmë vazhdimisht për ecurinë e Ekspeditës; kemi gjetur vullnet që edhe ne ditët e acarta t’ju dërgojmë informata për ne të dy. Informatat i kemi dërguar në mënyrën më të sinqertë dhe pa asnjë paragjykim.

Ajo që ne e kemi parasysh dhe që e vlerësojmë shumë, është përkrahja dhe motivimi që e ndiejmë në komentet tuaja. Është ajo përmbajtja humane dhe motivuese që rrjedh nga ju, ndërsa unë, Nazmi Hasanramaj, dhe Arineta Mula e ndiejmë këtu ku jemi, dhe kjo ka domethënie të madhe... sepse Ju jeni Ne, dhe ne jemi Ju.

Qëllimi final është ngritja e Flamurit të Kosovës në kulmin e botës; përfaqësimi dinjitoz i Komunitetit tonë alpin, si dhe renditja e vendit tonë në listën e shteteve që e kanë ngjitur Everestin.

Klubi Alpin Prishtina në vazhdimësi ka realizuar ekspedita në lartësi të mëdha, gjithnjë me sukses dhe pa aksidente. Tani besojmë fuqishëm se edhe kjo ekspeditë do të përfundojë me sukses, duke e vulosur traditën dhe përvojën e KAP-it në këtë lëmi.

Everestin dhe 5 majat tjera rreth tij i shohim çdo ditë; i shohim dhe i adhurojmë për madhështinë e tyre, bukurinë dhe ashpërsinë e jashtëzakonshme. Pafuqia njerëzore ndaj tyre, na bën t’i kujtojmë ata që na duan, miqtë tanë të veçantë, pa të cilët ne nuk do të ishim ne Himalaje, dhe të cilët na japin kuptim në çdo hap.

{gallery}