Zuerich, 12 korrik (UEFA.com) – Vetëm tre vjet pasi nuk arriti të kualifikohej në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, Italia arriti të bëhet kampione e Evropës. Mirëpo në këtë sukses të italianëve ndikim të madh pati edhe portieri Gianluigi Donnarumma. Me gjithë moshën e re, Donnarumma, 22-vjeçar, e dëshmoi veten në finalen e “Euro 2020”, kur priti dy penallti të anglezëve derisa Italia fitoi me rezultatin 3:2. Paraqitjet e mira në “Euro 2020” bëjnë që Donnarumma, i cili u shpall lojtari më i mirë i turneut, të mbetet figurë imponuese edhe tek Italia.
“Mendova se gjithçka mori fund”, pranoi Donnarumma duke e kujtuar momentin kur Jorginho e rregullonte topin për ta gjuajtur penalltinë kundër Anglisë në finale.
Në fakt Donarumma nuk ishte i vetmi që e kishte një mendim të tillë. I gjithë kombi i Italisë ishte gati të fitonte, duke pasur parasysh se Jorginho është njeriu i duhur për penalltinë vendimtare, si me Spanjën në gjysmëfinale. Megjithatë portieri i Anglisë, Jordan Pickford, kishte ide tjera, gjë që detyroi Donnarumman të dilte edhe një herë në veprim.
“Unë tashmë isha i lodhur dhe nuk kisha energji, por duhet të vazhdoja dhe të tentoja të prisja edhe një penallti”, tha Donnarumma, i cili u shpall edhe lojtari më i mirë i “Euro 2020”.
Në fakt, kur Jorginho e humbi penalltinë dhe Donnarumma bëhej gati për ta pritur gjuajtjen e Bukayo Sakas, te Italia kishin besim të madh në portierin e ri. Madje pas ndeshjes e menjëhershme ishte pyetja për kapitenin e Italisë, Giorgio Chiellinin.
“Cilat ishin mendimet tuaja pasi Jorginho e humbi penalltinë?”. Dhe përgjigjja e Chiellinit ishte e menjëhershme: “Që ne e kishim Gigionen në portë” duke iu referuar Donnarummas. Portieri i Italisë është mësuar të arrijë gjëra të mëdha. Në moshën 22-vjeçare ai tashmë ka luajtur 215 ndeshje në Serie A, kurse në finalen e “Euro 2020” kundër Anglisë e bëri paraqitjen numër 33 me Italinë.
“Mund të them vetëm se e kemi merituar plotësisht këtë sukses dhe jam shumë i lumtur”, tha ai.
Ky sukses i Italisë në “Euro 2020” është i jashtëzakonshëm duke marrë parasysh se para tre vjetëve nuk arriti të kualifikohej në Botërorin e vitit 2018, me Roberto Mancinin e emëruar përzgjedhës më pas për ta ruajtur atë që dukej si një anije që po fundosej. Trajneri jo vetëm që e bëri atë, por e shndërroi Italinë në një jaht luksoz.
“Ne të gjithë e dimë se ku e kemi filluar”, vazhdoi Donnarumma. “Disa njerëz besuan tek ne dhe në fund ne jemi këtu duke festuar triumfin në Evropian”.
Ata e bëjnë këtë pasi filluan keq kundër Anglisë, kur Luke Shaw mundi portierin me një distancë të afërt. "Mund të na ketë vrarë, por nuk jemi ata që jemi: kurrë nuk dorëzohemi", tha Donnarumma. "Ne ishim të jashtëzakonshëm, nuk do të lëshonim".
Donnarumma thuhet se ishte i gjatë 190 centimetra në moshën 11-vjeçare – shumë më i madh se lojtarët e tjerë në fushë. Kjo kishte bërë që të ëmës së tij, Marinellas, t’i kërkohej certifikata e lindjes së Gianluigit për të vërtetuar moshën e tij. Mirëpo në finalen e “Euro 2020” Donnarummas nuk iu kërkua certifikata e lindjes, me gjithë që ndoshta ai dukej si një gjigant për lojtarët e Anglisë.