Euro 2020

Sterlingu thotë se Anglia pati paraqitje fantastike

Descriptive Text

Sulmuesi i krahut, Raheem Sterling e ka vlerësuar lart paraqitjen e Anglisë në ndeshjen gjysmëfinale kundër Danimarkës.

Madje, Sterling ka thënë se Anglia pati paraqitje fantastike dhe me meritë u kualifikua në finale.

“Ishte një top-paraqitje. Ishte hera e parë që ne pranuam gol në këtë turne, por ne u përgjigjëm mirë dhe treguam shpirt luftarak. Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Ne ishim të duruar dhe e dinim se me këmbët dhe agresivitetin që kemi në ekip, që do të ishim në rregull. Është një hap tjetër në drejtimin e duhur. Ne duhet të përqendrohemi në fundjavë tani. Tani kemi Italinë. Do të festojmë pak, pastaj do të përqendrohemi te Italia”, ka thënë Sterling.

Anglia fitoi 2:1 në gjysmëfinale, pas vazhdimeve. Koha e rregullt u mbyll 1:1 me golin për Anglinë që erdhi nëpërmjet autogolit të Simon Kjaerit që qëlloi gabimisht në portën e tij nën presion të Sterlingut. Sterlingu fitoi edhe penaltinë në vazhdime që qe vendimtare për fitoren e “Tre Luanëve”.