Andreas Christensen i Danimarkës beson se lojtarët e ekipit të tij që bëjnë karrierë në Premier League, e kanë atë që duhet për të ndalur sulmuesin e Anglisë, Harry Kanen dhe për të heshtur stadiumin “Wembley” kur të përballen në gjysmëfinalen e “Euro 2020” të mërkurën mbrëma. Mbrojtësit 25-vjeçar të Chelseat, Christensen ka një rekord të mirë kundër sulmuesit të Anglisë, dhe Danimarka gjithashtu mund të përfitoj nga këshillat e mesfushorit Pierre-Emile Hojbjerg, i cili është bashkëlojtar i Kanet te skuadra e Tottenhamit.
“Ne i dimë cilësitë e tij dhe të gjithë kanë nga një ide se çfarë mund të bëjmë për ta ndalur Kanen”, tha Christensen. “Pierre-Emile Hojbjerg gjithashtu e njeh atë, dhe mund të ndodhë që ai mund të ndajë disa gjëra me ne. Të gjithë futbollistët kanë zakonet e tyre dhe ne duhet t'i shfrytëzojmë ato”.
Kane, i cili shënoi kundër Gjermanisë në 1/8 e finales dhe realizoi dy herë të tjera ndaj Ukrainës në çerekfinale, paraqet një sfidë të vështirë fizike për danezët. Kane deri më tani, ka shënuar tre gola në pesë ndeshje të luajtura në “Euro 2020”.
“Ai është i mirë me këmbët e tij dhe është një nga sulmuesit”, tha Christensen. "Unë reagoj shumë bazuar në instinktin. Ai është shumë i madh, kështu që është e vështirë të futesh në duel me të. Ai gjithashtu ka cilësi të shkëlqyera me këmbët e tij, kështu që nuk guxoni t’i afroheni shumë”.
Pavarësisht se luajnë për klube më modeste të shpërndara në të gjithë Evropën, danezët nuk tremben nga formacioni i yjeve të Anglisë, bazuar në emrat që ka.
“Ndihemi sikur kemi cilësitë për të luajtur kundër të gjithëve. Si ekip, nuk do të thosha se ata janë më të mirë”, tha Christensen.
Pasi organizoi kthimin e jashtëzakonshëm të skuadrës së tij nga humbja e Christian Eriksenit që kolapsoi në ndeshjen hapëse, përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand është duke punuar në një plan për të ndaluar vijën e sulmit të Anglisë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për Harry Kanen, por nuk mund të kërkoj nga lojtarët që ta ndalin vetëm atë. Ne e dimë se si sulmon Anglia, kështu që ne po krijojmë disa struktura për të ndaluar sulmet e saj”, u shpreh Hjulmand.
Ndeshja do të zhvillohet para 60 mijë tifozëve në stadiumin “Wembley” të mërkurën mbrëma, por për shkak të kufizimeve të udhëtimit, vetëm danezët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë në gjendje ta përcjellin ndeshjen nga afër.
“Ne nuk do të jemi më të shumtë në numër, por jemi të lumtur që kemi arritur në gjysmëfinale dhe do të përpiqemi të bëjmë një lojë të mirë. Ne tashmë kemi dëshmuar se kemi cilësi për të luajtur kundër më të mirëve. Kështu që, jemi gati edhe për këtë sfidë të madhe”, shtoi Christensen.