Pasi kishte arritur me shumë mund të kalonte fazën e grupeve, vetëm fal një barazimi 2:2 në xhiron e fundit ndaj Hungarisë, Gjermania është eliminuar në 1/8 e finales të Euro 2020, ku u mposht 2:0 të martën në Wembley nga Anglia.
Ishte humbja e parë e Gjermanisë nga Anglia në fazën nokaut të një turneu të madh që nga finalja e Botërorit 1966.
Ishte përfundimi i hidhur për seleksionuesin e Gjermanisë, Joachim Loew, i cili ka drejtuar përfaqësuesen nga viti 2006.
Pika kulmore e periudhës së tij në krye të Gjermanisë ishte triumfi në finalen e Botërorit 2014 në Brazil. Por, Gjermania me Loewin kurrë nuk arriti të merrte veten nga pika më e ulët, që ishte Botërori 2018, ku përfundoi e fundit në grup.
Kalimi i fazës grupore në Euro 2020 ishte minimumi i pritur nga Gjermania e Loewit. Gjermania e mori veten nga humbja nga Franca në ndeshjen e parë me 1:0, duke mposhtur Portugalinë 4:2 në ndeshjen e dytë. Por, ishte shumë afër eliminimit në fazën grupore, pasi në ndeshjen e tretë ndaj Hungarisë dy herë ishte në disavantazh, por në fund nxorri barazim 2:2.
Periudha e Loewit në krye të Gjermanisë ëshë e përafërt me atë të Angela Merkelit në postin e kancelares së Gjermanisë.
Ai kishte marrë nofkën “trajneri i përjetshëm” i Gjermanisë.
Por, reputacioni i tij u njollos nga dështime të njëpasnjëshme në turne të mëdhenj.
Në Botërorin në Rusi, Gjermania u mposht nga Meksika e Koreja e Jugut. Ndërsa në nëntorin e vitit të kaluar pësoi 6:0 nga Spanja – humbja më e thellë e Gjermanisë që nga viti 1931 – e po ashtu humbje shokuese nga Maqedonia e Veriut në mars në eliminatore për Botëror.
Pati thirrje për shkarkimin e Loewit pas debaklit në Rusi, por ai insistoi se do të qëndronte për të përmirësuar gabimin në Botërorin 2022 në Katar.
Mirëpo, Loew në mars njoftoi se “Euro 2020” është turneu i tij i fundit. Zëvendësuesi i tij është Hansi Flick, trajneri që e udhëhoqi Bayern Muenchenin drejt tripletës në edicionin 2019/2020.
“Është zhgënjim i madh për të gjithë ne. Ne kemi shpresuar të arrijmë shumë më tepër në këtë turne dhe besimi në këtë skuadër ishte i madh. Në ndeshje si këto, duhet shfrytëzosh rastet që të vijnë. Timo Werner dhe Thomas Mueller për fat të keq nuk shënuan nga rastet e tyre, kështu që është ndjenjë e keqe që jemi eliminuar”, ka thënë Loew, pas humbjes së sotme nga Anglia në 1/8 e finales të Euro 2020.