Euro 2020

Franca e dëshpëruar për ta tejkaluar zhgënjimin pas eliminimit

Descriptive Text

“Euro 2020” ishte menduar të ishte hapi tjetër në rrugën e Kylian Mbappes drejt madhështisë dhe shansit të artë të Francës për t'u bërë kampione e Evropës pas titullit të botës, vetëm që kampanja e saj përfundoi me një dështim të dhimbshëm pas gjuajtjes së penalltive. Një disfatë në penallti nga Zvicra, me Mbappen që humbi penalltinë vendimtare, pas një barazimi 3:3 në 1/8 e finales, e pa Francën të bëhet kampionia e parë në fuqi e botës që nuk arriti të kualifikohej në çerekfinale të Evropianit pas Italisë në vitin 1984. Kthimi i Karim Benzemas te Franca pas gati pesë vjetësh dukej si forcë shtesë për ekipin që tre vjet më parë u shpall kampion bote, por futbollistët e përzgjedhësit Didier Deschampsin kurrë nuk arritën të dëshmojnë cilësitë që i kishin. Pyetjet kanë nisur të bëhen në Francë se pse një skuadër që mburret me një mori talentesh sulmues nuk ishte në gjendje të mposhtte Hungarinë dhe Zvicrën, me taktikat e Deschampsit, mungesën e golave ​​të Mbappes dhe një mbrojtje të lëkundur që po kritikohet me të madhe.

“Është shumë e vështirë të tejkalosh këtë situatë”, shkroi Mbappe në mediat sociale, që kërkoi falje për penalltinë e humbur. “Ka një trishtim të madh pas këtij eliminimi”.

Por Franca dhe Mbappe do të duhet të harrojnë shpejt eliminimin e tyre dhe të sigurohen se gabimet që iu kushtuan në Bukuresht, të mos përsëriten në kampionatin botëror “Katari 2022”. Favoritët para fillimit të “Euro 2020” mund të pretendojnë se u eliminuan pas asnjë humbje – hiq këtu penalltitë – për t’u fokusuar në mbrojtjen e titullit të botës, që është vetëm 17 muaj larg. Mbappe shpërtheu në skenën ndërkombëtare në Rusi në vitin 2018, duke shënuar katër gola dhe duke u bërë adoleshenti i parë që shënoi në finalen e Kupës së Botës që nga braziliani Pele 60 vjet më parë. Por ai pati një paraqitje zhgënjyese në Evropian, duke e filluar me një gol të anuluar dhe duke e përfunduar me pritjen e penalltisë nga portieri i Zvicrës, Yann Sommer.

“Më vjen keq për penalltinë e humbur. Unë doja të ndihmoja ekipin, por dështova”, shkroi 22-vjeçari pas eliminimit të Francës. “Do të jetë e vështirë të bëj gjumë sonte, por fatkeqësisht këto janë rreziqet e këtij sporti që unë i dua shumë”.

Pavarësisht se i pati katër ndeshje pa një gol të realizuar në “Euro 2020”, Mbappe ishte një kërcënim gjatë gjithë turneut për kundërshtarët, por finalizimi i tij ishte i dobët. Një dështim për t’i ikur pozitës jashtë loje ia mohoi atij një gol të shkëlqyeshëm individual në fitoren 1:0 të Francës në fazën e grupeve ndaj Gjermanisë, para se të humbte dy raste fantastike në kohën shtesë kundër Zvicrës, të hënën mbrëma. Pasi dështoi nga afërsia, ylli i Paris Saint-Germainit pastaj pa goditjen e tij nga penalltia të pritet nga portieri zviceran. Por përzgjedhësi i Francës, Dider Deschamps, i cili ka kontratë deri pas përfundimit të Botërorit të vitit të ardhshëm, ishte i shpejtë për ta mbrojtur sulmuesin e tij të ri.

“Shumëçka pritej nga Kyliani. Edhe pse nuk shënoi, ai shpesh luante një rol vendimtar për ekipin”, shtoi Deschamps. “Ai mori përgjegjësinë për të marrë penalltinë e fundit dhe askush nuk është i zemëruar me të. Kyliani ka marrë përgjegjësi, ai ndihet fajtor, por nuk duhet ta bëjë këtë, sepse të gjithë kemi përgjegjësi për këtë eliminim”.

Edhe pse Mbappe do të jetë në qendër të vëmendjes pas këtij eliminimi, realiteti është se Franca e kishte fitoren në duar pas epërsisë 3:1, të cilën nuk arriti ta mbajë në dhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt.

Vendimi i Deschamps për t'u kthyer në sistemin me tre mbrojtës për shkak të dëmtimeve të mbrojtësve të krahut të majtë, Lucas Hernandezit dhe Lucas Dignes, i dhanë Zvicrës një frymëzim të hershëm, ndërsa Franca nuk kishte ritëm të lojës në pjesën e parë. Në fakt, francezët u zgjuan nga gjumi, pasi Hugo Lloris e priti penalltinë e Ricardo Rodriguezit në pjesën e dytë, por që nuk mjaftoi për të avancuar tutje. Përpjekja e dobët e Presnel Kimpembe për ta ndalur rezervistin Mario Gavranoviqin para se të shënonte golin e barazimit dramatik për Zvicrën do të vërë përsëri në dyshim se për çfarë arsye mbrojtësi i PSG-së dhe ai i Barcelonës, Clement Lenglet ishin titullarë derisa Aymeric Laporte vetëm disa orë më herët e ndihmoi Spanjën të kualifikohej në çerekfinale pas ndërrimit të nënshtetësisë.

“Nëse do të ishim më pak të fortë, kjo është për shkak të shumë gjërave dhe shumë prej tyre janë të vështira për t'u vënë gishtin”, këmbënguli Deschamps. “Çdo skuadër ka vështirësitë e veta. Kishte shumë dëmtime në fund të sezonit. Me temperatura kaq të nxehta, trupi tendoset edhe më shumë”.

Nuk do të jetë shumë më e freskët as vitin e ardhshëm në Katar, megjithatë Franca do të duhet të mbështetet në një mbrojtje, që pësoi gjashtë gola në katër ndeshje të “Euro 2020” para se të përpiqet që të bëhet kombi i katërt që fiton tri kupa botërore.

“Gjëja më e rëndësishme do të jetë të marrim veten për sfidat e ardhshme”, shtoi Mbappe.