Euro 2020

Mbrojtësi i Suedisë, Lustig, kthehet në Glasgow për t’u ndeshur me Ukrainën

Kur Suedia dhe Ukraina takohen të martën në Skoci në 1/8 e finales të Kampionatit Evropian, Mikael Lustig do të ndihet si në shtëpinë e tij. Mbrojtësi suedez ishte një vizitor i shpeshtë - dhe fitues - në stadiumin “Hampden Park” në tetë sezone të suksesshme te skuadra e Celticut derisa u largua në vitin 2019.

“Është diçka e mrekullueshme që do të luajë në atë stadium”, tha Lustig përpara se të kthehej në qytet dhe në stadiumin ku fitoi katër finale të Kupës skoceze, gjithashtu. “Të gjithë miqtë e mi në Glasgow do të jenë aty për të më përkrahur”.

Lustig është në shoqëri të rrallë për ndeshjen e fundit të planifikuar në 1/8 e finales në “Euro 2020”.

Suedia për herë të fundit luajti në “Hampden Park” 40 vjet më parë, një muaj para se të lindte Zlatan Ibrahimoviqi, në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës. Ukraina ka bërë vetëm një udhëtim, 14 vjet më parë për një ndeshje kualifikuese për “Euro 2008”, në gati tri dekada si një komb i pavarur futbolli.

Të dy ekipet humbën ato ndeshje kundër Skocisë, por njëra do të largohet nga Glasgowi me fitoren e parë të kombit të tyre në raundin e nokautit të një kampionati evropian - dhe fituesi në çerekfinale do të përballet me Anglinë ose Gjermaninë, ndeshje kjo që do të zhvillohet të shtunën në Romë.

Rreth dhjetë mijë tifozë priten të jenë të pranishëm në stadiumin historik me kapacitet prej 52 mijë ulëseve në Glasgow, por pak do të jenë në gjendje të udhëtojnë nga të dy kombet për shkak të rregullave të karantinës të kërkuara nga autoritetet skoceze.

“Është një planifikim shumë i keq që kjo ndeshje të luhet në një vend ku nuk lejohet askush tjetër veç vendasve”, tha mesfushori i Suedisë, Albin Ekdal.

Lustig është më optimist se bashkëlojtari i tij, duke thënë se “ka shumë suedezë në Mbretërinë e Bashkuar” dhe se shpreson që të gjithë ata të jenë në tribuna të martën mbrëma – 21:00.

“Unë kam shumë miq në Glasgow që mund ta zgjidhin këtë çështje. Pra, ata do të jenë të pranishëm dhe do të më përkrahin mua dhe Suedinë në këtë ndeshje të rëndësishme”, tha mbrojtësi 34-vjeçar, i cili fitoi tetë tituj kampioni rresht me Celticun dhe tani është pjesë e AIK Stockholmit.

Lustig ndan një histori të vogël me trajnerin e Ukrainës, Andriy Shevchenkon, lojtari më i madh i historisë moderne të futbollit të kombit të tij. Shevchenko shënoi në atë humbje 3:1 ndaj Skocisë në vitin 2007.

Shevchenko gjithashtu shënoi të dy golat në të vetmen ndeshje të mëparshme zyrtare midis Ukrainës dhe Suedisë, në fitoren 2:1 në kuadër të Evropianit të vitit 2012.

Lustig dhe kapiteni aktual i Suedisë, Sebastian Larsson, të dy ishin titullarë në atë ndeshje, ashtu si Andriy Yarmolenko, i cili tani është kapiten i Përfaqësueses së Ukrainës.

Që atëherë Yarmolenko ka luajtur në të gjitha tetë ndeshjet e Ukrainës në kampionatet evropiane. Fitorja e vetme e tij ishte triumfi ndaj Maqedonisë së Veriut me rezultatin 2:1 më 17 qershor, një rezultat i cili e futi Ukrainën në fazën e nokautit, përkundër që kishte tubuar tri pikë dhe kishte një diferencë negative të golave. Suedia e fitoi grupin e saj në “Euro 2020” përpara Spanjës për të barazuar arritjen e përzgjedhësit Janne Andersson nga Kampionati Botëror “Rusia 2018” që udhëhoqi një ekip të nënvlerësuar në vendin e parë në një grup të vështirë.

Spanja dukej sikur do ta fitonte grupin derisa Suedia shënoi në kohën shtesë për ta mposhtur Poloninë 3:2 në ndeshjen e fundit të fazës së grupit. Po të kishin fituar polakët, atëherë ata do të kishin përparuar në vend të Ukrainës në 1/8 e finales.

“Në fund, fati na e dha një shans të dytë, dhe është mëkat që mos ta përdorim”, insistoi mesfushori i Ukrainës, Oleksandr Zubkov. “Synimi ynë është të futemi në mesin e tetë skuadrave më të mira të Evropianit dhe besoj në ekipin që kemi. Nuk do të jetë lehtë, por jemi të gatshëm edhe për këtë betejë”.