Cristiano Ronaldo padyshim se tërheq shumicën e vëmendjes, por jo të gjithë vëmendjen.
Ronaldo është në prag për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në nivel përfaqësuesesh në futboll. Ai mund ta vendosë atë rekord të dielën, kur Portugalia ballafaqohet me Belgjikën në raundin e 1/8 së finales në Kampionatin Evropian.
Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, dëshiron të bëjë me dije se lojtarët e tij nuk do të kenë vëmendje të veçantë te Ronaldo.
“Kur e bën një plan në veçanti kundër një lojtari, mund të goditesh nga lojtarët e tjerë”, tha Martinez. “Natyrisht, Cristiano Ronaldo është lojtari që del në pah në momentin e duhur, bën pasimin dhe shansin e duhur dhe gjithmonë duhet të jesh i vëmendshëm, por duhet t’i ruash edhe 10 lojtarë të Portugalisë njësoj”.
Martinezi ka thënë se Portugalia ka “grumbullim të jashtëzakonshëm” të lojtarëve të mirë në skuadrën e vet për ta përkrahur Ronaldon, prej Bernardo Silvas e te Diogo Jota, Bruno Fernandes, Renato Sanchez e Joao Moutinho.
“Ju e dini pse ky ekip ka qenë i suksesshëm. Ju e dini pse ky ekip e ka fituar Evropianin dhe Ligën e Kombeve”, ka thënë Martinezi. “Është sepse ata e kanë mentalitetin e jashtëzakonshëm dhe e dinë si të luajnë në ndeshje të mëdha”.
Ronaldo është lider në listën e golashënuesve më të mirë të turneut aktualisht me pesë gola pas tre ndeshjesh. Ai është vetëm një gol larg për ta thyer rekordin me më së shumti gola në futbollin e përfaqësueseve në konkurrencën e meshkujve. Sulmuesi 36-vjeçar i Juventusit i ka barazuar shifrat me sulmuesin e Iranit, Ali Daei, me 109 gola të realizuar.
“Ne të gjithë e dimë se ai është një prej lojtarëve më të mirë në botë”, tha Martinezi. “Çdo lojtar bëhet më i mirë kur arrin një moshë, sepse bëhet më i efektshëm me atë që e bën. Mendoj se Cristiano Ronaldo e di si ta përdorë hapësirën, ai depërton nga zona të ndryshme dhe është shumë i rrezikshëm në lojën në ajër”.
Por, edhe Belgjika ka lojtarë të rrezikshëm, prej Kevin De Bruyne deri tek Eden Hazard e Romelu Lukaku, i cili hyn në fazën nokaut me tri gola të shënuar. De Bruyne dhe Hazard, bashkë me Axel Witselin janë kthyer gradualisht në ekip gjatë ndeshjeve në fazën e grupeve. Ata nuk kanë qenë plotësisht të gatshëm për Belgjikën në përgatitje shkaku i lëndimeve.
“Djajtë e kuq”, të renditur në vendin e parë në botë, kanë fituar 13 ndeshje rresht, përfshirë tri të fazës së grupeve në “Euro 2020”, si dhe 10 ndeshje kualifikuese për këtë turne.
“Jemi me plot vetëbesim, jemi në momentin tonë”, tha Martinezi. “Po shohim para se si mund të përmirësohemi dhe sa mund të kënaqemi këtu, sepse në fund të ditës, kur kënaqemi me futbollin që e luajmë jemi më të mirët, dhe ne duhet ta bëjmë këtë”.
Belgjika pati dy ditë më shumë për të pushuar sesa Portugalia, për ndeshjen që pritet të luhet në kushte atmosferike të ngrohta në Spanjën jugore. Ka pasur edhe shqetësime nga të dyja ekipet për kushtet e fushës në “La Cartuja Stadium”, që është ndërtuar në vitin 1999 për Kampionatin Botëror në atletikë.
Ndeshja mes Belgjikës e Portugalisë luhet në orën 21:00.
Portugalia e pati vetëm një fitore në tri ndeshjet e grupit, kundër Hungarisë në duelin hapës. Më pas humbi nga Gjermania dhe barazoi me Francën për të avancuar nga grupi i vështirë F, si një nga katër skuadrat më të mira të vendit të tretë.
Portugalia e pati vetëm një fitore brenda 90 minutash në të gjithë turneun e “Euro 2016”, por më pas e fitoi titullin e parë të madh duke e mposhtur Francën në finale.
Belgjika tani është skuadra që do të tentojë ta ndalë serinë negative dhe ta fitojë trofeun e parë të madh. Ishte nënkampione në Kampionatin Evropian 1980 dhe përfundoi në vendin e tretë para tre vjetësh në Kupën e Botës, që është paraqitja më e mirë në atë turne.
është gjeneratë e veçantë, ka qenë shumë e përkushtuar në futbollin shtetëror”, ka shtuar Martinezi. “Kemi punuar shumë për t’u bërë më të mirë. Kemi gjashtë lojtarë që janë me afro 100 paraqitje, dy lojtarë me afro 90 paraqitje. Është një gjeneratë e shkëlqyer. Ne jemi vetëm duke provuar të adaptohemi në atë që do të ketë nevojë të dielën dhe të jemi sa më të mirë që mundemi”.