Euro 2020

Dumfries, Locatelli midis yjeve të fazës së grupeve

Descriptive Text

Faza e grupeve në “Euro 2020” përfundoi të mërkurën mbrëma dhe me ndeshjet e 1/8 së finales që nisin këtë fundjavë po paraqesim pesë futbollistët që shkëlqyen në duelet e grupeve.

Manuel Locatelli – Italia

Mesfushori i Sassuolos, Locatelli, filloi vetëm dy ndeshjet e para të Italisë në Grupin A për shkak të mungesës së Marco Verrattit të dëmtuar, por ai ishte një nga interpretuesit më të mirë në paraqitjet fantastike të italianëve kundër Turqisë dhe Zvicrës. Dinamizmi i 23-vjeçarit në mes të fushës u ilustrua nga mënyra se si ai filloi dhe përfundoi lëvizjen që ia dha Italisë epërsinë në fitoren 3:0 kundër Zvicrës, duke siguruar avancimin përtej fazës së grupeve për ekipin e Roberto Mancinit.

“Ai është një organizator, ka fizik, ka cilësi teknike, ai ka gjithçka”, tha Mancini për Locatellin.

Pavarësisht dy golave të tij ndaj Zvicrës, Locatelli u përjashtua për ndeshjen e fundit të Italisë në grup me Uellsin për Verrattin që kthehej nga lëndimi dhe i cili me gjasë do të mbajë vendin e titullarit në ndeshjen kundër Austrisë. Sidoqoftë, Locatelli mbetet një armë e fuqishme për Italinë edhe nëse qëndron në stol.

Denzel Dumfries – Holanda

Hera e fundit që Holanda luajti në një turne të madh ishte Kampionati Botëror i vitit 2014. Në atë kohë Dumfries një adoleshent sapo kishte bërë debutimin e tij ndërkombëtar për Aruban, ishullin e vogël të Karaibeve në brigjet e Venezuelës. Tani 25 vjeç dhe një rregullt te Holanda, kapiteni dhe mbrojtësi i djathtë i PSV Eindhovenit – i emëruar sipas aktorit Denzel Washington - ka qenë një nga yjet e fazës së grupeve. Në fitoren 3:2 ndaj Ukrainës, ai ndihmoi me dy asistime përpara se të shënonte golin e fitores.

Pastaj kundër Austrisë Dumfries fitoi një penallti që u shndërrua në gol nga Memphis Depay para se të shënonte të dytin në fitoren 2:0, duke siguruar një vend në 1/8 e finales për ekipin e Frank de Boerit.

I lindur në Roterdam, Dumfries tani është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me një lëvizje në një nga ligat më të mëdha të Evropës pas turneut dhe PSV ndoshta nuk do të jetë në gjendje të rezistojë kur ofertat e majme të arrijnë në “Philips Stadion”.

Patrick Schick – Çekia

Schick tha se donte të dukej si luftëtari i MMA, Nate Diaz, kur ai pozoi me muskujt e tij të përkulur dhe hundën të përgjakur pasi shënoi golin e tij të tretë në turne nga penalltia kundër Kroacisë. Por ishte goditja e tij mahnitëse nga gati 50 metra kundër Skocisë, ai që shpalli sulmuesin e Bayer Leverkusenit si një yll të “Euro 2020”. Schick tashmë kishte hapur rezultatin ndaj Skocisë një goditje të fortë me kokë përpara se të shënonte një nga golat më të mirë të parë ndonjëherë në një Kampionat Evropian.

Tani 25 vjeç, karriera e Schickut ishte premtuese në nivel klubesh, por ai ka dhënë pak deri më tani duke luajtur te Sampdoria, Roma, Leipzigu dhe Leverkuseni. Por një kthim mbresëlënës prej 14 golash në 29 ndeshje për vendin e tij tregon pse ai është njeriu kryesor nëse çekët do të përparojnë përtej 1/8 së finales të Kampionatit Evropian.

Robin Gosens – Gjermania

Gjermania për pak sa nuk pësoi një përsëritje të Botërorit “Rusia 2018” përpara se të kalonte në 1/8 e finales të “Euro 2020”. Por kualifikimi i Gjermanisë i detyrohet shumë Robon Gosensit, i cili pati një paraqitje fantastike kundër Portugalisë. Mbrojtësi i majtë që luan për klubin italian Atalanta ndoqi një rrugë të pazakontë për në ekipin kombëtar, duke shmangur rrugën tipike të akademisë për një udhëtim përmes futbollit amator përpara se të bashkohej me ekipin holandez Vitesse Arnhem në moshën 18-vjeçare. Dikur një oficer policie aspirues, Gosens Lusn në Serie A prej vitit 2017, kurse te Gjermania debutoi në shtator të vitit të kaluar, përkundër që është një prej lojtarëve të rrallë në ekipin e Joachim Loewit që nuk ka bërë karrierë në Bundesligë. Kalimi i Joachim Loewit në sistemin 3-4-3 ka nxjerrë në pah paraqitjet e mira të 26-vjeçarit. Ai sulmoi në krahun e djathtë kundër Portugalisë dhe u përfshi në të katër golat, duke shënuar të katërtin për të përmbyllur paraqitjen më të mirë të Gjermanisë që nga fitimi i Kupës së Botës në vitin 2014.

Emil Forsberg – Suedia

Mesfushori me tipare sulmuese i RB Leipzigut ka qenë forca lëvizëse e Suedisë pasi skuadra e Janne Andersson kryesoi grupin për turneun e dytë rresht të madh. 29-vjeçari shënoi një penallti në fitoren 1:0 ndaj Sllovakisë, e cila përfundimisht siguroi vendin e Suedisë në 1/8 e finales, para se të realizonte dy gola të tjerë në fitoren 3:2 kundër Polonisë për të përfunduar në pozitën e parë të Grupit E para Spanjës. Në Botërorin e vitit 2018, vrapimi i “skandinavëve” përfundoi me një humbje 2:0 në çerekfinale ndaj Anglisë. Suedia do të ketë nevojë për Forsbergun, i cili ndjek Cristiano Ronaldon në garën për “Këpucën e Artë”, për të vazhduar formën e tij të mirë edhe kundër Ukrainës. Forsberg shpesh është lidhur me një largim nga Leipzigu qëkur u bashkua me ekipin e atëhershëm të divizionit të dytë nga Malmo në vitin 2015, por ka qëndruar besnik dhe ka ndihmuar ekipin gjerman të arrijë në fazën e eliminimit të Ligës së Kampionëve në dy sezonet e fundit.