Kylian Mbappe shënoi më shumë gola në Francë sezonin e kaluar, dhe Harry Kane bëri gjithashtu në Premier League. Nuk është vetëm fakti që as Paris Saint-Germaini dhe as Tottenhami nuk fituan titullin në ligat e tyre që i lidh Mbappen e Kanen. As fakti që të dy sulmuesit pritet të transferohen në klube të reja pas Kampionatit Evropian. Edhe pse prodhimtarë për klubet e tyre - Mbappe me 27 gola në kampionat dhe Kane me 23 sosh - asnjëri nuk ka arritur ta bartë formën e shënimit të golave edhe në Kampionatin Evropian. Kane arriti të ketë vetëm një goditje në portë në tri ndeshjet e fazës së grupit për Anglinë. Ndërsa Mbappe pati tri gjuajtje në portë për Francën. Mirëpo asnjëri prej sulmuesve nuk ka shënuar ende gol në “Euro 2020”.
“Unë mendoj se kjo është bota e një lojtari të madh”, tha trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, duke diskutuar për Kanen. “Në mënyrë të pashmangshme ai ka ardhur nëpër ato periudha dhe shënoi gola të rëndësishëm për ne dhe luajti jashtëzakonisht mirë. Pra, është pak a shumë një cikël përsëritës”.
Ndoshta është një reflektim i numrit të sezoneve më rraskapitëse të mbingarkuara me ndeshje shkaku i përhapjes së pandemisë, dhe tani lodhja ka filluar të ndihet në trupat e lojtarëve.
Franca të paktën po korr përfitimet e rikthimit të Karim Benzemas pas gjashtë vjetësh jashtë ekipit. Ishte sulmuesi i skuadrës së Real Madridit, Benzema, që shënoi për Francën për herë të parë pas 2085 ditësh - dy herë në fakt – dhe siguroi një barazim 2:2 ndaj Portugalisë të mërkurën mbrëma dhe kalimin në 1/8 e finales.
“E dija se sa më shpejt që do të isha në ekipin kombëtar, kritikët do të dilnin - kjo është pjesë e lojës së futbollit, por unë kurrë nuk dorëzohem”, tha Benzema. “Të gjithë po prisnin për këtë gol dhe ky ishte një lloj motivimi shtesë për mua. Sigurisht, që ka një presion tjetër sesa kur luan për klubin tënd, sepse është vendi yt, por për mua është një kënaqësi e madhe kur luaj dhe shënoj për Francën”.
Të paktën ishte Mbappe ai që fitoi një penallti për Benzeman, i cili është një kontribuues më i madh se Kane te Anglia, skuadër që gjithashtu avancoi në fazën e nokautit si fituese e grupit. “Euro 2020”, megjithatë, do t’i mungojë sulmuesi kryesor i Evropës në fazën e nokautit. Tri gola nga Robert Lewandowski nuk ishin të mjaftueshëm për të kaluar Poloninë në raundin tjetër. Shënuesi më i mirë individual është, çuditërisht, Cristiano Ronaldo, me pesë gola të shënuar për Portugalinë.
Por janë autogolat që bënë një dallim të madh. Pas vetëm nëntë autogolave nga viti 1960 në vitin 2016 në kampionatet evropiane kanë qenë tetë autogola në më pak se dy javë këtë vit.
Mbrojtësit e krahut
Ndërsa disa sulmues kryesorë po përpiqen të bëjnë një ndikim, ky turne ka qenë një fazë për të shkëlqyer mbrojtësit e krahut. Denzel Dumfries ka qenë yll i papritur për Holandën, duke përfituar nga një formacion 3-5-2 që i jep hapësirë atij për të avancuar në krahun e djathtë të sulmit. Golat e tij, kundër Ukrainës dhe Austrisë e kanë ndihmuar Holandën për të avancuar në 1/8 e finales. Ndërsa Dumfries ishte i njohur për holandezët, duke luajtur për PSV Eindhovenin, ekipin e vendit të dytë në kampionatin e Holandës, Robin Gosens nuk ka luajtur kurrë në Bundesligë dhe as skuadrat e të rinjve të Gjermanisë. Por pasi lulëzoi në Itali me Atalantan – ekip që është bërë i rregullt në Ligën e Kampionëve - Gosens e ka justifikuar edhe më shumë vendimin e përzgjedhësit Joachim Loew për ta thirrur në “Euro 2020”. Paraqitja e tij fantastike në fazën e grupeve erdhi kur ai u detyrua të shënoj një autogol, asistoi në një gol dhe më pas shënoi vetë në fitoren e Gjermanisë kundër Portugalisë me rezultatin 4:2.
Shkathtësia
Gjëja që çdo përfaqësuese apo skuadër moderne përfiton në fushë, është shkathtësia e lojtarëve.
Është gjermani Joshua Kimmich, i cili mund të shkëlqejë si mbrojtës i djathtë ose si mesfushor te Gjermania apo Bayern Munichu. Dhe, për një kohë të gjatë si mbrojtës te Bayerni përkrah Kimmichut, David Alaba ka lulëzuar së fundmi si një qendërmbrojtës. Me Austrinë, Alaba ka qenë më shumë një qendërmbrojtës krijues.
“Ju e keni topin shumë në këtë pozitë”, tha Alaba. “Ju mund të vendosni ritmin dhe të ndikoni më shumë në ndërtimin e lojës”.
“Euro 2020” do të shohë më shumë prej tij, pasi Austria ka kaluar në fazën e 1/8 të finales për herë të parë, dhe do të përballet me Italinë. Pas përfundimit të Evropianit, Alaban e pret një kapitull i ri në karrierën e tij, te skuadra e Real Madridit.
Përparësia si vendës
“Euro 2020” është një turne unik, që u jep përparësi më shumë vendeve se kurrë më parë. Nga 11 qytete që përdoren në të gjithë Evropën, nëntë skuadra patën mundësinë të luanin në stadiumet e tyre në shtëpi. Vetëm Italia dhe Holanda, të cilat nuk arritën të kualifikoheshin në Kupën e fundit Botërore, fituan të tri ndeshjet e tyre në grupe. Gjermania pati një fitore, një barazim dhe një humbje në Munich. Danimarka humbi dy ndeshjet e para, por kapërceu pengesat dhe emocionet e kolapsit të Christian Eriksenit për të përfunduar fazën e grupeve me një fitore, e cila i mjaftoi për të avancuar tutje.
Hungaria mori një pikë nga dy ndeshjet e saj në Budapest. Rusia dhe Skocia humbën të dy ndeshjet që i luajtën në shtëpi. Pika e vetme e Skocisë dhe performanca më e mirë, erdhi nga loja në rivalin e vjetër, Anglinë. Është stadiumi “Wembley”, në të cilin do të luhen më së shumti ndeshje të turneut – tetë sosh, përfshirë gjysmëfinalet dhe finalen. Anglia arriti dy fitore dhe barazimin me Skocinë në stadiumin e saj në Londër. Spanjës iu desh të priste deri në ndeshjen e saj të tretë për të fituar pas dy barazimeve rresht në Sevilla, ku nikoqirët madje u ankuan për kushtet e fushës së tyre. Ishte një ndërrim i vonë i qyteteve pritëse, pasi Bilbao nuk ishte në gjendje të garantonte hyrjen për tifozët gjatë pandemisë.
Por nuk ishin zgjedhur stadiumet “Ramon Sanchez-Pizjuan” i skuadrës së Sevillas apo “Benito Villamarin” i Real Betisit. Në vend të tyre po përdoret një stadium i projektuar fillimisht për të organizuar kampionatin botëror të atletikës në vitin 1999.