Euro 2020

Suedezët e vlerësojnë shumë të rëndësishme fitoren ndaj Polonisë

Descriptive Text

Me golin e shënuar në minutën e 94-t nga Victor Claesson, Suedia ka fituar 3:2 ndaj Polonisë. Fitorja i ka mundësuar Suedisë që ta fitoj Grupin E, duke përfunduar para Spanjës. “Ishte shumë mirë dhe shumë me rëndësi që shënuam golin e fitores. Ishte gjë e madhe nga ne”, ka thënë Claesson për sajtin zyrtar të UEFA-s.

Lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall Emils Forsberg, që shënoi dy gola. Për Poloninë dy herë realizoi Robert Lewandowski, por që nuk ishte e mjaftueshme. “Ishte një fillim i çmendur. Kjo do të thoshte se ata ishin pak më shumë se ne të dëshpëruar.

Polakët kanë krijuar shanse, nuk kanë mundur të shënojnë dhe ne kemi pasur pak fat. Pas 2:0 ndeshja është dashur të përfundojë, por polakët barazuan. Golat e tyre erdhën disi lehtë. Por më pas ne shënuam golin e tretë dhe tani është kënaqësi e pastër”, ka thënë Forsberg pas ndeshjes.

Ai ka treguar se synim i Suedisë është avancimi përtej një të tetës së finales. “Ne duam ta kalojmë raundin e parë nokaut. Ne kemi ardhur me synimin për ta kaluar grupin. E kemi arritur këtë dhe tani duam ta kalojmë edhe kundërshtarin e ardhshëm. Duam të fitojmë secilën ndeshje që mundemi”, ka theksuar Forsberg.