Euro 2020

Rekordmeni polak i Evropianit

Kacper Kozlowski

Me 17 vjet e 246 ditë, Kacper Kozlowki është bërë lojtari më i ri që ka luajtur në Kampionate Evropiane të futbollit. Ai e vendosi rekordin kur u aktivizua për Poloninë ndaj Spanjës, më 19 qershor në Sevilla.

Por vendosja e rekordeve për të rinj nuk është diçka e re për Kozlowskin, shkruan sajti zyrtar i UEFA-s.

Mesfushori ka luajtur ndeshjen e parë në elitën polake në maj të vitit 2019, pesë muaj para se t’i mbushte 16 vjet. Ai u bë lojtari më i ri në histori të klubit Pogon Szczecin që ka luajtur në elitë dhe lojtari më i ri që ka luajtur në “Ekstraklasa” në shekullin 21.

Kozlowski po ashtu ia ka dalë të shkruaj kapitull të ri në librat e historisë së ekipit nacional, pa nisur Euro 2020.

Më 28 mars të këtij viti, ai debutoi në përfaqësuesen seniore me 17 vjet e 163 ditë. Vetëm legjenda Wlodzimierz Lubanski, i dyti në listën e realizatorëve më të mirë në histori të Polonisë, ka qenë më i ri kur ka debutuar. Lubanski kishte debutuar për Poloninë me 16 vjet e 188 ditë.

“Natyrisht, në një mënyrë është ndjenjë e jashtëzakonshme të luaj në moshë kaq të re për ekipin nacional dhe të kem rastin të paraqitem pak minuta në Evropian. Por qasja ime nuk ka ndryshuar dhe unë po mundohem të luaj më shumë për ekipin nacional”, ka thënë Kozlowski për “euro2020.com” nga kampi i Polonisë në Sopot.

Kozlowski prej kohësh është konsideruar supertalent në Poloni, por shumë njerëz mbetën të befasuar kur Paulo Sousa vendosi ta përfshinte në skuadër për Euro 2020. Më pas Sousa e aktivizoi në një ndeshje vendimtare dhe kjo dëshmon për besimin që selektori ka ndaj tij.

“Trajneri më ka thënë që vetëm ta luaj lojën time, të mbaj topin dhe të mos frikësohem të rrezikoj”, ka shtuar tinejxheri i talentuar.

Mediat polake kanë pasur reagime pozitive pas aktivizimit të Kozlowskit, duke veçuar qetësinë dhe maturinë e tij.

“Personalisht për mua, është më mirë të luajmë ndaj ekipeve më të mira, që preferojnë të luajnë lojë më të hapur dhe lojë më teknike”.

Progresi i tij ka qenë i vazhdueshëm, ndonëse ka pasur disa vështirësi pas një aksidenti me veturë, në janar të vitit 2020.

“Mendoj se si njeri ai aksident më ka ndryshuar. Por në kuptimin e futbollit nuk ndiej ndonjë ndryshim prej asaj që ishte atëherë dhe që është tani”, ka thënë talenti polak.

Portieri i Polonisë, Wojciech Szczesny është plot me lëvdata për bashkëlojtarin e ri.

“Më pëlqen shumë Kacperi, pasi përkundër moshës së re ka karakter dhe merr përgjegjësi”, ka thënë portieri i parë i Juventusit.

“Kjo nuk është e lehtë për një 17-vjeçar. Mendoj se nëse ai e menaxhon karrierën si duhet në vitet e ardhshme, do t’i shërbejë shumë përfaqësuese sonë”.

Kozlowski vazhdon të jetë pjesë e Pogonit. Por jo edhe gjatë. Skuadra të mëdha janë duke e përcjellë. Dhe paraqitja në Evropian do t’i ndihmojë shumë në karrierë, pa përmendur rekordin e tij.