Euro 2020

Gareth Bale ende pa gol të shënuar, por Uellsi avancon

Gareth Bale ka pasur vetëm një rast ndaj Italisë dhe nuk e ka shfrytëzuar atë.

Goditja me volej në pjesën e dytë, që shkoi mbi portë, do të mund të kishte çmim të lartë. Por nuk kishte rëndësi pasi Uellsi arriti ta siguroj vendin e dytë në Grupin A dhe kalimin në raundin nokaut të Euro 2020. Uellsi u kualifikua me gjithë humbjen 1:0 nga Italia.

Lojtarët u ndien të lehtësuar pas ndeshjes. Bale dhe shokët e skuadrës, të veshur me fanella të kuq, u përqafuan dhe shkuan te tifozët e tyre që kishin udhëtuar për në Romë.

“Jam krenar për djemtë. Ne kemi dashur të provojmë për të marrë rezultat, por mendoj se nuk ka shumë ndryshim. Kemi përfunduar në vend të dytë”, ka thënë Bale pas ndeshjes.

I dominuar në lojë dhe për numrin e lojtarëve në fushë, Uellsi ka dështuar të krijoj raste ndaj Italisë. Bale ka pasur rastin më të mirë, por nuk ishte i saktë.

Ylli Bale nuk ka shënuar ende në Euro 2020. Ai humbi penallti ndaj Turqisë por asistoi në të dy golat.

Trajneri i Uellsit, Rob Page ka thënë se prezenca e kapitenit është e rëndësishme, edhe kur ai nuk shënon.

“Nuk ka të bëj vetëm me golat e asistimet”, ka thënë Page. “Ka të bëjë me gjitha të tjerat që vijnë me praninë e tij”.

Kur Ethan Ampadu u përjashtua në pjesën e dytë për ndërhyrje të vonshme ndaj Federico Bernardeschit, Bale ishte aty për të ngushëlluar 20-vjeçarin e Chelseat. Ia ka “rrahur” shpinën dhe e ka shoqëruar atë jashtë fushës.

“Nuk kam parë shumë. Natyrisht se unë do të kundërshtoj dhe do të mundohem ta mbroj Ethanin. Ishte moment pa fat”, ka thënë Bale.

Uellsi tani ka disa ditë për të pushuar para se të udhëtoj për në Amsterdam për një të tetën e finales. Të hënën uellsianët do të mësojnë se me kë do të përballen.