Trajneri i Holandës, Frank de Boer, duhet të marrë vendim të vështirë para ndeshjes së fundit në Grupin C të Kampionatit Evropian.
“A duhet të mbajmë lojtarët në ritëm dhe ta rafinojmë tutje sistemin, apo duhet të pushojmë disa prej djemve?”, ka thënë De Boer.
Përgjigjja është pak nga të dyja.
De Boer ka thënë të dielën se do të bëjë dy ndryshime nga ekipi që fitoi 2:0 ndaj Austrisë. Ai nuk ka treguar se cilët lojtarë do t’i pushojë.
“Ne kemi pasur moment të mirë ndaj Ukrainës, kemi pasur moment të mirë ndaj Austrisë, por ka ende hapësirë për përmirësim”, ka thënë De Boer.
Holandezët e kanë siguruar vendin e parë në grup pas dy fitoresh, ndërsa Maqedonia e Veriut tashmë është e eliminuar, pas dy humbjeve. Kjo ia ka hequr rëndësinë garuese ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Holandës, që luhet të hënën nga ora 18:00 në “Johan Cruijff Arena” në Amsterdam.
Nën drejtimin e De Boerit, Holanda ka fituar 3:2 ndaj Ukrainës dhe 2:0 ndaj Austrisë.
Holanda në Evropian po luan kryesisht me tre mbrojtës, pesë mesfushorë dhe dy sulmues, në vend të vendosjet tradicionale me katër mbrojtës, tre mesfushorë dhe tre sulmues.
De Boer do ta vendosë ekipin në mënyrë të njëjtë edhe të hënën.
Lojtari që ka përfituar më së shumti nga sistemi është mbrojtësi i krahut, Denzel Dumfries, që ka shënuar dy gola për Holandën në Evropian dhe ka pasur “dorë” në tre të tjerë, duke u bërë befasisht prej yjeve të Euro 2020.
25-vjeçari i PSV Eindhoven ka vrapuar para e prapa në krahun e djathtë te Holanda, duke kryer detyrat ofensive dhe defensive.
“Unë vetëm po e luaj lojën time, ashtu si bëj gjithnjë dhe po ndihem vërtetë mirë”, ka thënë Dumfries. “Është sistem ndryshe që ka anët pozitive. Më jep shumë hapësire për të shkuar para, që më pëlqen. E shijoj hapësirën në fushë”.
Maqedonia e Veriut, që ka humbur 3:1 nga Austria dhe 2:1 nga Ukraina, shpreson ta përfundojë Evropianin me paraqitje të mirë. Maqedonia e Veriut për herë të parë po merr pjesë në një ngjarje të madhe futbolli.
Trajneri Igor Angelovski ka duartrokitur mënyrën se si ekipi i Maqedonisë V. është kthyer në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Ukrainës, pasi ishte inferior në pjesën e parë. Ai dëshiron të shohë edhe më shumë në Amsterdam.
“Në pjesën e dytë ishim Maqedonia e Veriut e vërtetë”, ka thënë Angelovski. “Në atë mënyrë do të luajmë ndaj Holandës”.
De Boer e di se Maqedonia e Veriut do të dalë në fushë me synim për të fituar një pikë apo tri pikë. Ai ka përmendur fitoren 2:1 ndaj Gjermanisë në kualifikimet e Kupës së Botës, më herët këtë vit, për të treguar se Maqedonia e Veriut nuk bën të nënvlerësohet.
“Nuk bën vetëm të ecim afër tyre. Duhet të jemi në top-formë për ta fituar këtë ndeshje, pasi ata po e marrin skajshmërisht seriozisht”, ka thënë De Boer.