Euro 2020

Spanja ngec pas një tjetër pengese në Euro 2020

Luis Enrique

As Luis Enrique nuk ishte në gjendje ta fshehte pakënaqësinë e tij pas një tjetër ndaljeje të Spanjës në Euro 2020.

Selektori Enrique zakonisht është i pari që vë në pah gjërat pozitive dhe mbron skuadrën e tij pas ndonjë rezultati dëshpërues. Por, rezultati 1:1 ndaj Polonisë të shtunën e ka lënë Enriquen pa shumë mundësi që të arsyetohet.

Barazimi i dytë rresht e vë Spanjën në pozitë të palakmueshme. Spanjollët rrezikojnë të turpërohen duke mos e kaluar grupin, ndonëse i luajnë ndeshjet në shtëpi dhe tri prej katër përfaqësueseve në grup kanë gjasa për të avancuar.

Spanja renditet e treta në Grupin E me 2 pikë. Një pikë më shumë ka Sllovakia në vend të dytë, ndërsa Suedia udhëheq në grup me 4 pikë. Polonia është e fundit me një pikë.

Fitorja ndaj Sllovakisë të mërkurën do t’ia siguronte Spanjës vendin në raundin tjetër. Por, barazimi do ta linte “La Rojan” në pozitë që të jetë e varur nga rezultatet e tjera dhe me pak gjasa për kalim në raundin nokaut.

“Vërtet dua ta shikoj ndeshjen sërish, që ta analizoj më mirë. Qartë se përshtypjet e para nuk janë më të mirat”, ka thënë Luis Enrique.

“Ndoshta kemi luajtur më mirë se rivalët, por jo mirë mjaftueshëm sa për ta fituar ndeshjen. Ne jemi munduar shumë, por nuk kishim qartësi të mjaftueshme”.

Luis Enrique ka theksuar se përkushtimi i lojtarëve ishte gjëja e vetme me të cilën është i lumtur. Shumë gjëra të tjera nuk kanë shkuar ashtu si selektori spanjoll do të dëshironte.

Ai ka pasur dukshëm më tepër lëvdata për ekipin pas barazimit pa gola ndaj Suedisë, kur Spanja krijoi numër të madh rastesh, por dështoi t’i konkretizojë. Ai ka theksuar se një paraqitje tjetër e atij niveli do të ishte e mjaftueshme ndaj Polonisë. Por, ekipi i Enriques ka vuajtur më shumë të shtunën mbrëma, ndonëse ka pasur goxha raste për ta përfunduar ndeshjen, duke përfshirë penalltinë e humbur nga Gerard Moreno. Me realizim eventual të penalltisë, Spanja do të udhëhiqte 2:1 në pjesën e dytë.

Moreno ishte ndryshimi i vetëm në formacion nga ndeshja me Suedinë. Ai erdhi në Evropian pas edicionit të jashtëzakonshëm me Villarrealin.

Gjatë ndeshjes, Enrique ka shtuar më shumë sulmues në formacion, duke përfshirë Ferran Torresin dhe Pablo Sarabian, por as kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Do të dëshiroja që zëvendësuesit të na ndihmonin pak më shumë”, ka thënë Enrique.

Alvaro Morata i dha fund periudhës së shterpësisë, duke shënuar në minutën e 25-të, por sulmuesi i Juventusit dëshpëroi sërish me një rast të mirë të humbur. Pas penalltisë ai kishte portën e hapur, por nuk gjuajti saktë.

Polonia ka barazuar në një prej pak sulmeve. Ylli Robert Lewandowski shënoi me goditje me kokë në minutën e 54-t.

“Ne jemi të mërzitur”, ka thënë kapiteni i Spanjës, Jordi Alba. “Ne të gjithë jemi munduar shumë. Por, nuk po jemi në gjendje t’i fitojmë ndeshjet”.

Është dukur se Luis Enrique nuk i ka të qarta idetë para ndeshjes vendimtare ndaj Sllovakisë, që sërish do të luhet në fushën me gjendjen jo më të mirë në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.

Barazimi apo humbja do t’ia pamundësonin Spanjës të përfundonte më lart se vendi i tretë në grup dhe do varej nga rezultatet e tjera nëse do të avanconte si një prej katër përfaqësueseve më të mira të pozitës së tretë. Një barazim dhe fitorja eventuale e Polonisë ndaj Suedisë automatikisht do ta eliminonin Spanjën.

“Si trajner, unë gjithnjë duhet të zgjidh shumë probleme”, ka thënë Enrique.

“Ajo që duhet të bëjmë është të përmirësohemi dhe të fillojmë t’i fitojmë ndeshjet. Shpresojmë se do të jemi në nivelin e duhur”.